Vetëm 5% e individëve që kanë llogari bankare e kanë përdorur “E-Baniking” në Shqipëri gjatë vitit 2021. Të dhënat nga “Agjencia Europiane e Statistikave” të publikuara në formën e një ankete mbi “Aktivitetet në Internet”, tregojnë se kjo është përqindja më e ulët ndër të gjitha vendet e Europës. Mesatarja e Bashkimit Europian për individët të cilët e kanë përdorur këtë shërbim gjatë vitit 2021 është 58%. Shifrat tregojnë se krahasuar me vitet e tjera, kjo përqindje ka ardhur duke u rritur edhe pse në nivele fare të vogla. Që nga viti 2018-të kur “Eurostat” disponon të dhëna për Shqipërinë, përqindja e individëve që e përdorin internetin për të kryer transaksione financiare apo pagesa online, është rritur me 3 pikë përqindje. Gjatë vitit 2018-të dhe 2019-të përqindja e individëve që e përdornin “E-Banking” ishte 2%, për të arritur në 4% gjatë vitit 2020.
“Scan Intelligence Unit” i ka krahasuar këto të dhëna me vendet e rajonit si dhe me vendet e Europës. Vendi ynë renditet i fundit në rajon, por edhe në Europë. Mali i Zi po ashtu ka ka një përqindje të ulët, duke u renditur një vend para Shqipërisë me 8% të individëve të cilët e kanë përdorur internetin për të kryes pagesa apo veprime financiare online. Ndër vendet e rajonit, përqindjen më të lartë të këtij treguesi, gjatë vitit 2021, e ka Maqedonia e Veriut me 27%, ndjekur nga Serbia, me 21%. Bosnje Hercegovina regjistron vetëm 13% të individëve që kanë përdorur shërbime financiare online gjatë vitit 2021. Nëse do të merrnim në krahasim vendet e Europës, Norvegjia mban vendin e parë, me 96%, ndjekur nga Islanda dhe Danimarka, me 95% secila.
E-banking, ose bankingu online i referohet kryerjes së veprimeve bankare nëpërmjet internetit, pra nëpërmjet një kompjuteri apo celulari. Veprimet bankare variojnë nga ato më të thjeshtat, si verifikim i gjendjes dhe i balancës, e deri te pagesat e faturave apo transferimi i parave. E-banking vlerësohet si një mënyrë me më pak kosto, dhe me më shumë siguri për kryerjen e veprimeve bankare, dhe nga ana tjetër kursen shumë kohë. Për këtë arsye, renditja e Shqipërisë në fund të Europës në këtë drejtim tregon se ky segment ka hapësira të ndjeshme për përmirësim, duke sjellë përfitime jo vetëm për sektorin dhe individët, por edhe për ekonominë në tërësi. Bankingu online favorizon edhe përdorimin e parasë virutale, dhe tranizicionin nga paraja cash. Sipas Bankës së Shqipërisë, kalimi i ekonomisë sonë, nga paraja fizike, drejt asaj virtuale i kursen Shqipërisë deri në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments