Ekonomi

DPSHTRR kthehet në “korporatë”/ 26 milionë euro xhiro, 7 milionë euro fitime në vit. Mes 10 kompanive më të mëdha në Shqipëri

0

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) funksionon si një ent me vetëfinancim dhe me kapital shtetëror, dhe për vitin 2021 raporton bilance financiare që e bëjnë të duket një koorporatë e mirëfillitë. Gjatë 2021-shit, DPSHTRR raporton rreth 3 miliardë lekë të ardhura, që përkthehen në rreth 26 milionë euro si dhe 810 milionë lekë, ose rreth 7 milionë euro fitime. Në rast se do ta krahasonim me kompanitë më të mëdha në vend, referuar fitimeve, do të ishte e 4-ta në Shqipëri, ndërkohë që institucioni nënvizon se për herë të parë është është përfshirë ndër 10 kompanitë private dhe publike më të mëdha në vend. Vetë DPSHTRR në raportin vjetor për vitin e kaluar thekson se rritja e të ardhurave përgjatë vitit 2021 fiksohet në 36% në terma vjetorë, ndërsa fitimet raportohet të jenë rritur me plot 131%. Një faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në këto shifra të fryra është edhe kalimi i shërbimit të kontrollit teknik të mjeteve (kolaudimi), nga një kompani private (SGS) drejt DPSHTRR. Pavarësisht se ky shërbim ka kaluar te Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor vetëm në qershor të vitit të kaluar, pra jo përgjatë të gjithë vitit, por vetëm në gjysmën e tij, përfaqëson thuajse 14% të të ardhurave totale të institucionit gjatë vitit kalendarik, plot 419 milionë lekë.

Por, çfarë zërash të tjerë përbejnë totalin e të ardhurave të DPSHTRR si institucion me vetëfinancim? Në vend të parë, si zëri me më shumë qarkullim paraje për institucionin gjatë vitit 2021 rezulton të jetë “regjistrimi i mjetit”, me plot 1.3 miliardë lekë, që përkthehet në rreth 11.3 milionë euro. Ky zë përfaqëson 43% të totalit të të ardhurave të institucionit përgjatë të gjithë vitit kalendarik. Në vend të dytë renditet zëri i “leje drejtimi” që përfaqëson rreth 23.6% të totalit. Pagesat ndaj DPSHTRR për leje drejtimi fiksohen në 719 milionë lekë në vit, ose rreth 6.2 milionë euro. Në vend të tretë janë taksat dhe tarifat, me 16% të totalit, ose 488 milionë lekë, që është e barabartë me 4.2 milionë euro. Ndjek “kontrolli teknik” dhe “shërbime të tjera”. Këto të fundit fiksohen pranë 100 milionë lekëve, ose diçka më pak se 1 milionë euro. Mes këtyre zërave, të shpërndara gjenden edhe disa shërbime që sipas DPSHTRR cilësohen si risi, dhe që japin një panoramë të qartë të shpenzimeve të shqiptarëve për shërbime të veçanta. Rreth 200 milionë lekë janë paratë që shqiptarët paguajnë në vit për errësimin e xhamave, që përkthehet në rreth 1.7 milionë euro. Këtë shërbim gjatë vitit të kaluar e kanë marrë rreth 80 mijë mjete. Nga ana tjetër, rreth 100 milionë lekë në vit janë shpenzimet e shqiptarëve për targa me porosi. Janë rreth 8 mijë shërbime të tilla përgjatë vitit të kaluar.

Por, nga ana tjetër, DPSHTRR funksionon edhe si agjent tatimor dhe ent tatimpagues. Gjatë vitit të kaluar, institucioni ka dhënë një kontribut fiskal në buxhetin e shtetit prej 744 milionë lekësh, ose rreth 6.4 milionë euro. Rritja e ndjeshme e bilanceve të institucionit gjatë vitit të kaluar, ka bërë që të gjithë treguesit kryesorë të prekin rekorde historike maksimale. Të gjitha këto shifra janë të përfshira në raportin vjetor të institucionit për vitin 2021.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Makina na vlen më shumë se paratë në bankë/ “Flota”, sa 16% e PBB-së! Vlera e një mjeti, më e lartë se pasuria financiare e një familje shqiptare

Postimi mëparshëm

Lagjet më të plakura dhe më të reja të Tiranës/ Mosha mesatare, 37.8 vjeç, “Myslym Shyri”, 7 vite më e vjetër se “Lapraka”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.