Numri i fermerëve të pajisur me NIPT në fund të vitit 2021 rezulton të jetë rritur me 28.3%, krahasuar me fundin e vitit 2020. Të dhënat e regjistrit të ndërmarrjeve për vitin që lamë pas tregojnë se numri i fermerëve të pajisur me NIPT është 62,922 nga 49,053 fermerë të regjistruar gjatë vitit 2020. Pra nga një përllogaritje e thjeshtë, në vlerë absolute, numri i fermerëve të rinj të pajisur me NIPT gjatë vitit 2021 është 13,869. Kjo rritje e numrit të fermerëve të rinj vjen kryesisht si pasojë e nxitjes nga skemat financuese të aplikuara nga qeveria. Skema e subvencioneve dhe ajo e naftës falas për bujqësinë kanë ndikuar në rritjen e formalizimit të sektorit dhe pajisjen e fermerëve me NIPT. Ky fluks i lartë i fermerëve të rinj mund të quhet ndryshe dhe formalizim për përfitim.
Por si kanë kontribuar qarqet në rritjen e numrit të fermerve për vitin 2021? Siç e tregon dhe paraqitje grafike të gjithë qarqet regjistrojnë rritje të numrit të fermerëve. Rritja më e lartë vërehet në qarkun e Dibrës me 122.7%. Pra, nga 799 fermerë të pajisur me NIPT gjatë vitit 2020, në vitin 2021 ky numër është 1,779 fermerë. Qarku i dytë me rritjen më të lartë të numrit të fermerëve është Durrësi me 67.5%, nga 794 fermerë në vitin 2020, në 1,330 fermerë të pajisur me NIPT gjatë vitit 2021. Kryeqyteti është qarku i katërt në të cilin vërehet një rritje e numrit të fermerëve. Nëse do të flisnim për qarqet të cilat kanë regjistruar rritjen më të ulët mund të përmendim Shkodrën dhe Lezhën me 16.8% dhe 19% përkatësisht. Për vitin 2021 nga të gjtiha qarqet në total, numrin më të lartë të numrit të fermerëve e regjistron qarku i Fierit me 16,586 fermerë gjithsej. Të dhënat tregojnë se fermerët në bashkinë Lushnje të qarkut të Fierit zënë 11% të fermerëve aktivë të pajisur me NIPT.
“Scan Intel” ka analizuar gjithashtu ndarjen e numrit të fermerëve sipas gjinisë. Sipas të dhënave 10.8% e fermerëve pronarë apo drejtues janë gra. Në shifra absolute janë 6,807 drejtuese gra. Nga ana tjetër, 89.2% e fermerëve pronarë apo drejtues janë burra.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments