Të dhënat e Bashkisë Tiranë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV), të përpunuara nga “Scan Intelligence Unit” tregojnë se këtë vit në Tiranë janë mbyllur ndjeshëm më pak biznese se një vit më parë, pavarësisht se asokohe, vendi nuk vuante krizën e shkaktuar nga pandemia apo atë të shkaktuar nga tërmeti. Të dhënat e nëntëmujorit të këtij viti tregojnë se deri në fund të shtatorit, në Tiranë janë mbyllur 2477 binese në total, si kryesore ashtu edhe sekondare. Në të njëjtin nëntëmujor të vitit të kaluar ndërkohë, mbylleshin 2980 biznese, pra 503 biznese më shumë, ose 20% më pak këtë vit krahasuar me atë paraardhës.
Të dhënat paradoksale po të kemi parasysh situatën që ka kaluar, dhe vijon të kalojë vendi, tregojnë gjithashtu se, si në tremujorin e dytë të vitit, ashtu edhe në tremujorin e tretë, numri i biznesve të mbyllura në kryeqytet është ndjeshëm më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Po të shohim me hollësi të dhënat zyrtare, vetëm ato të tremujorit të tretë të vitit, kur raportohet të jenë mbyllur 559 subjekte kryesore dhe 227 subjekte sekondare, për një total prej 786 biznesesh, rezulton se i vetmi aktivitet ku vihet re një tendencë në rritje e bizneseve të mbyllura, paçka se të pakta në numër, është ai i njësive të prodhimit. Në tremujorin e tretë u mbyllën 24 aktivitete të tilla, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin 21, si biznese kryesore. Dy aktivitetet me mbylljen më të lartë vijojnë të jenë ato të shitjeve me pakicë si dhe ai i njësive të shërbimit. Këto të fundit, që në masë përfshijnë dhe baret e restorantet, ndër aktivitetet më të prekura nga pandemia, pavarësisht vështirësive rezultojnë të kenë mbyllur përfundimisht “qepenin më pak” se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments