Të dhënat e “Institutit të Statistikave” sinjalizojnë rritje të shitjeve në tregtinë me pakicë përgjatë tremujorit të parë të vitit 2022. Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është 108.8 dhe rritja regjistrohet në 5,2%, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë. Edhe në terma tremujorësh, volumi i shitjeve me pakicë shihet të ketë pësuar rritje me 1% gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021. Pavarësisht rritjes vjetore dhe tremujore, ndryshimi mujor i indeksit të shitjeve në tregtinë me pakicë paraqitet negative. Volumi i shitjeve nga muaji shkurt 2022 në muajin mars të po këtij viti ka pësuar rënie me 1.8%. Të dhënat tregojnë se indeksi i volumit për muajin shkurt të vitit 2022 është 24% mbi vlerën e periudhës bazë, pra të vitit 2015-të. Kjo shifër përgjatë muajit shkurt është shumë pranë nivelit historik.
Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e parë 2022 është rritur me 5,5%. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve është rritur 4,7 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, ndërsa volumi i shitjeve për grupin “Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur 6,2 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës. Në grupin “Tregti hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara” volumi i shitjeve është rritur me 4,2 %. Megjithëse në terma vjetorë dhe tremujorë volumi i shitjeve të hidrokarbureve paraqitet me rritje, interesant paraqitet volumi i hidrokarbureve gjatë muajit mars të këtij vitit krahasuar me muajin mars të vitit 2021. Volumi gjatë këtij muaji ka rënë me 3.9% çka duket se është e impaktuar nga rrtija e çmimeve të hidrokarbureve. Rënia e volumit të shitjeve thellohet akoma më shumë nëse do të analizonim periudhën krahasimore. Rikujtojmë se përgjatë marsit të vitit 2021 ishin në fuqi masat anti-covid dhe lëvizja e automjeteve ishte e kufizuar, e megjithatë volumi i shitjeve gjatë marsit të këtij viti përsëri është më i ulët. Në rast se krahasimin do ta bënim me periudhën para pandemisë, atëherë rezulton se në tremujorin e parë të këtij viti, konsumi me pakicë i karburanteve ka qenë 5.2% më i ulët se tremujori i parë i vitit 2019.
Por cilat grupe kanë ndikuar në tregtinë më pakicë? Në ndryshimin vjetor të regjistruar prej 5.2%, ndikimin më të madh e ka patur “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” me 2,6 pikë përqindje. Grupet “Tregti me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” dhe “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” shihet të kenë dhënë të njejtin kontribut me 1.3 pikë përqidnje.
“Scan Intel” ka analizuar gjithashtu edhe ndryshimin tremujor të volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë. Në tremujorin e parë 2022, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 0,2%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021. Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, është rritur me 0,8%. Volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në tregtinë me pakicë, për grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është rritur me 0,1%, ndërsa në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht, është rritur me 1,8%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments