Metodologjia e Eurostat sinjalizon një normë inflacioni në 2.6% gjatë muajit shtator të vitit 2021 në vendin tonë, ndërkohë që Istituti i Statistikave e raporton këtë normë për të njejtin muaj në 2.5%. Të dhënat e Instat, mbi Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin shtator tregojnë se çmimet në vendin tonë janë rritur me një ritëm më të ulët se mesatarja e Bashkimit Europian. Shifrat tregojnë se gjatë shtatorit, në Bashkimin Europian, kjo normë fiksohet në 3.6% dhe vendi ynë renditet i 25-i në klasifikimin mes vendeve të tjera të Europës. Gjatë muajit gusht të vitit aktual, ky tregues regjistrohej në 2.7%. Danimarka, Finalnda, Greqia, Portugalia, Malta dhe Zvicra janë të vetmet vende europiane ku çmimet gjatë shtatorit janë rritur me një hap më të ngadaltë.
Rritja më e madhe e çmimeve, prej 4,7 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Komunikimi”, me 2,9%, “Transporti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,4% secili, “ Argëtim dhe Kulturë” me 1.7%, “Pije alkoolike dhe duhan”, 1.2%, “Veshje dhe Këpucë” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga 1.1% secili. Sa i përket grupit “Shëndetësi”, rritja shënohet me 0.9%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u ulën me 0,4 %.
Në muajin Shtator 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,5 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me 1.1 %, pasuar nga grupi “Veshje dhe Këpucë” me 0,8 %, “Argëtim dhe Kulturë” me 0.7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbim arsimor” me nga 0,2 % secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shëndeti” janë rritur me 0,3%, pasuar nga “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments