Tregtia e jashtme vijon të raportojë terma rritje mjaft të larta, tregojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave për Marsin. Por, kjo rritje duket të jetë efekt i drejtpërdrejtë i rritjes së çmimeve, duke qenë se treguesit kryesorë janë të shprehur në vlerë, dhe jo në volum. Kështu, shifrat zyrtare për Marsin tregojnë se eksportet e mallrave prekën shifrën e 48 miliardë lekëve gjatë marsit, në rritje me 50.4% krahasuar me marsin e një viti më parë dhe me 28% krahasuar me shkurtin. Edhe importet janë rritur ndjeshëm, duke prekur shifrën e 84 mld lekëve, në rritje me 29.7% në terma vjetorë dhe me 21.7% në terma mujorë. Defiçiti tregtar ndërkohë fiksohet në 36 mld lekë, në rritje si në terma mujorë ashtu edhe në terma vjetorë.
Po të shohim pikërisht kontributin e grupeve kryesore në rritjen e shkëmbimeve tregtare vëmë re se ndikimin më të madh e kanë pasur pikërisht grupet që kanë regjistruar një rritje të ndjeshme të çmimeve. Sa i përket eksporteve, kontributin më të madh në rritjen me 50.4% të tyre gjatë marsit e kanë pasur “Materiale ndërtimi dhe metale” me 20.3 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 12.7 pikë përqindje, si dhe “Tekstile dhe këpucë”, me 6.7 pikë përqindje. Ndërkohë, sa i përket importeve, në rritjen prej 29.7% gjatë marsit, kontributin më të madh e kanë dhënë grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 14.2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 7.2 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 4.2 pikë përqindje.
Në total, gjatë marsit shkëmbimet tregtare kapin vlerën e 131 miliardë lekëve. Ky është rekordi më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë, në çdo muaj. Nga ana tjetër, shifra rezulton rreth 50 mld lekë mbi mesataren historike të 5 viteve të kaluara, ose rreth 420 milionë euro më shumë në muaj.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments