Ekonomi

Çmimet pengojnë tregtinë, por jo turistët/ Bie volumi i mallrave me 28.1%, pasagjerët dhe fluturimet me rritje për korrikun

0

Efekti i rritjes së çmimeve vijon të reflektohet në volumin e mallrave edhe përgjatë muajit korrik të këtij viti. Shifrat e transportit të publikuara nga “Instituti i Statistikave” sinjalizojnë rënie të volumit si në rrugë detare ashtu edhe në rrugë ajrore dhe hekurudhore. Rikujtojmë se të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin korrik të vitit aktual tregonin për rritje në vlerë të importeve dhe eksporteve, ndërsa volumi i mallrave vijon me rënie që nga muaji mars duke reflektuar kështu ndikimin e ndryshimeve të çmimeve. Sipas të dhënave, tkurrja më e lartë e volumit të mallrave regjistrohet në rrugë detare e cila zë dhe peshën më të madhe të transportit. Specifikisht volumi i mallrave të transportuara përmes detit ka rënë me 28.1% gjatë korrikut, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe regjistrohet në 334.5 mijë tonë. Mallrat e transportuara përmes ajrit, gjatë korrikut të këtij viti, kanë rënë me 12,2%, ndërsa mallrat e transportuara në rrugë hekurudhore kanë rëne më 4.2%. Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për ndryshimin e volumit të mallrave të transportuara në periudhën janar-korrik të dhënat tregojnë po ashtu për një rënie. Në shtatëmujorin e vitit 2022 mallrat e transportuara në rrugë detare kanë rënë në volum me 14.1%, ndërkohë që mallrat e trasportuara me ajër kanë rënë me 0.3%.

Një realitet ndryshe nga ai i transportit të mallrave paraqesin të dhënat e transportit të pasagjerëve. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar në linja detare është rritur me 71.9% gjatë korrikut, ndëra numri i pasagjerëve në linja ajrore është rritur me 44.8%, krahasuar me korrikun e vitit 2021. Ndërkohë, rënie ka pësuar numri i pasagjerëve në linjë hekurudhore, me 91.7%. Rritje regjistrojnë pasagjerët edhe për të shtatë muajt e këtij viti. Kështu, në linja detare janë rritur me 74.2%, në linja ajrore me 129.7%, ndërsa në linjë hekurudhore kanë rënë me 19.1%, krahasuar me shtatëmujorin e parë të vitit 2021.

Numri i fluturimeve po ashtu paraqitet pozititv përgjatë korrikut të vitit 2022. Fluturimet e kryera janë 4,434 duke pësuar rritje me 33.2%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje vërehet edhe përgjatë shtatë muajve të vitit me 80.7%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët dhe puna, paradoksi i “Gallup”/ Shprehen se punojnë më shumë se austriakët, francezët, finlandezët, por duan të ikin!

Postimi mëparshëm

Shqiptarët “nuk pyesin” për çmimin e karburantit/ 3 në 4 makina të blera këtë vit punojnë me naftë, rritet pesha, “braktisen” makinat me gaz

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.