Tregtia e jashtme vijon të zgjerohet me ritme të shpejta. Kështu, shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave për shtatorin tregojnë se eksportet arritën vlerën e 33 mld lekëve, në rritje me 31.1% në terma vjetorë dhe me 39.4% krahasuar me muajin gusht. Edhe krahasimi me të njëjtën periudhë të vitit 2019, atë pararendëse të pandemisë, tregon se, eksportet gjatë shtatorit kanë regjistruar një rritje me rreth 32% në vlerë. Sa i përket importeve, ndërkohë, shifrat më të fundit flasin gjithashtu për rritje. Importi i mallrave gjatë shtatorit preku vlerën e 69 mld lekëve, në rritje me 31.6% krahasuar me shtatorit 2020 dhe me 13.4% krahasuar me gushtin. Defiçiti tregtar është rritur gjithashtu ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, me 32%, por është ngushtuar krahasuar me gushtin, me 3.3%, për të prekur vlerën e 36 mld lekëve.
Sa i përket të gjithë nëntëmujorit, eksportet e mallrave prekin vlerën e 266 mld lekëve, në rritje me 36.5% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa importet prekën 556 mld lekë, një rritje me 29.6% në terma vjetorë.
Sa i përket kontributit të grupeve kryesore në tregtinë e jashtme gjatë shtatorit, në drejtim të eksporteve, në vend të parë gjejmë “materiale ndërtimi dhe metale”, që ka kontribuar me thuajse gjysmën e rritjes, ose 15.1 pikë përqindje. Ndjekin “Mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike” me 10.6 pikë përqindje, si dhe “ushqime, pije, duhan” me 2.2 pikë përqindje. Në rritjen e importeve ndërkohë, kontributin më të madh e ka dhënë grupi i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike”, me mbi 12 pikë përqindje.
Italia me 19.7%, Kosova me 36.4% dhe Spanja me 74%, janë vendet partnere me të cilat Shqipëria regjistron rritjen më të madhe vjetore të eksporteve. Nga ana tjetër, Italia me 18.7%, Turqia me 24.8% dhe Greqia me 27.5% janë shtetet me të cilat është regjistruar rritja më e madhe e importeve gjatë shtatorit 2021, krahasuar me shtatorin e një viti më parë.
Rritja e ndjeshme e importit dhe eksportit në vlerë gjatë shtatorit, ka marrë një shtysë të ndjeshme edhe nga rritja e çmimeve në nivel global për disa prej produkteve kryesore, si energjia elektrike, lëndët djegëse, ushqimet, etj.
Për ta ilustruar më mirë diçka të tillë, le të shohim ndryshimin vejtor në peshë dhe në vlerë të disa prej produkteve. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar disa prej zërave kryesore të tregtisë së jashtme, për të cilat ka sens analiza edhe sipas peshës. Importet e drithërave në peshë gjatë shtatorit janë rritur me 62.8%, ndërsa në vlerë me 106.9%, pra një diferencë prej thuajse dyfish. Në drejtim të importeve të lëndëve djegëse minerale, pra hidrokarbureve, në peshë rritja vjetore fiksohet vetëm në 26.9%, ndërsa në vlerë në 151.1%, çka sinjalizon më së miri impaktin e rritjes së çmimeve në vlerat e tregtisë së jashtme gjatë shtatorit.
Nga ana tjetër, kjo rritje e ndjeshme e çmimeve të importit për disa produkte bazë, duket se do të nxisë një rritje të mëtejshme të çmimeve të konsumit, efektet e së cilës kanë filluar të ndihen, dhe duket se do të pasqyrohen edhe në shifra, duke filluar prej këtij muaji.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments