Ekonomi

Cilat qytete janë “pasuruar” më shumë? Në Tiranë depozitat janë rritur me 166% prej 2007-ës, në Fier vetëm 60%

0

“Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë si dhe të dhënat historike për të kuptuar se cilat qytete janë “pasuruar” më shumë ndër vite. Kjo përllogaritje është bërë mbi sasinë e depozitave në sektorin bankar sipas 8 qarqeve kryesore të cilat figurojnë në statistikat e institucionit, ndërkohë që 4 qarqe të tjera përmblidhen si të tjera. Por këto të fundit nuk do t`i marrim në analizë, duke qenë se nuk kanë referencë gjeografike. Depozitat sipas qarqeve i referohen totalit të depozitave, pra, individëve dhe bizneseve, dhe periudha e marrë në shqyrtim është ajo 2007-2021.

Nga kjo analizë të dhënash rezulton se Tirana është qyteti me rritjen më të madhe të depozitave bankare në harkun e një dekade e gjysëm, me një rritje nominale prej plot 166%, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Në vend të dytë ndërkohë ndjek Vlora, me 107%. Shkodra mban vendin e 3-të, me një rritje të parave të depozituara në sektorin bankar prej 97% gjatë periudhës 2007-2021. Ndjek Elbasani me 88%, Durrësi me 83%, dhe Lezha me 80% rritje. Dy qarqet me rritjen më të ulët të parave të depozituara në banka janë Korça, me vetëm 62% rritje dhe Fieri me rreth 60% rritje.

Por, ky ndryshim është ai nominal, pra në përqindje, ndërkohë që nëse analizën do ta fokusonim në ndryshimin absolut të depozitave, renditja ndryshon ndjeshëm, me përjashtim të kreut. Që prej vitit 2007, qytetarët dhe bizneset në Tiranë janë pasuruar me rreth 3.6 miliardë euro, sinjalizojnë shifrat. Në vend të dytë ndjek Durrësi, me 379 milionë euro më shumë në banka, dhe Vlora me 364 milionë euro më shumë. Elbasani me 268 milionë euro, Shkodra me 224 milionë euro dhe Fieri me rreth 219 milionë euro vazhdojnë klasifikimin, ndërkohë që dy qarqet me rritjen më të ulët të depozitave bankare rezultojnë Korça, me vetëm 170 milionë euro, dhe Lezha me 93 milionë euro.

Këto luhatje të ndjeshme të shifrave nga njëri qark në tjetrin lidhen ngushtë edhe me zhvillimin ekonomik jo homogjen mes rajoneve dhe qyteteve të ndryshme të vendit, por edhe me formalizimin, gjithashtu jo homogjen. Duke qenë se paratë e depozituara në banka përfaqësojnë pjesën e “pastër” të parasë dhe kryesisht atë të formalizuar, edhe kjo renditje i referohet pikërisht rritjes së pasurisë formale sipas qarqeve ndër vite.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Sa zgjat anëtarësimi në BE? Mesatarisht 5 vite nga hapja e negociatave, por i tejzgjatur për disa vende të lindjes

Postimi mëparshëm

Tregtia e jashtme, si ka ndryshuar me krizën? Importet, Turqia i “rrëmben” vendin e parë Italisë, Kina, “rrokadë” me SHBA

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.