Ekonomi

Cilat qarqe kanë më shumë biznesmenë? Fieri, Berati dhe Gjirokastra! Lezha, Kukësi dhe Dibra, në fund të tabelës

0

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar dhe përpunuar të dhënat e Institutit të Statistikave për të kuptuar se sa është raporti i sipërmarrësve me popullsinë. Duke qenë se ekonomia e tregut në vendin tonë është e bazuar më së shumti në sipërmarrje të vogla, kryesisht familjare, atëherë edhe këtë analizë e kemi bërë në bazë të familjeve. Pra, sa familje kanë një biznes? Në rang kombëtar, rezulton se për çdo 100 familje, 21 të tilla kanë një biznes, pra 21%. Në këtë analizë ne kemi renditur edhe qarqet sipas atyre me më shumë biznesmenë, dhe atyre me më pak biznesmenë. Në vend të parë, me më shumë familje sipërmarrëse mesatarisht, rezulton të jetë qarku i Fierit, me rreth 29 të tilla për 100 familje. Në vend të dytë ndërkohë ndjek qarku i Beratit, me rreth 26 familje biznesmene ndër 100, pra rreth ¼-tën. Gjirokastra ndërkohë mban vendin e tretë, me rreth 24% të totalit. Renditja vijon me Korçën dhe Tiranën, pranë 23.5% dhe 22.6% respektivisht. Tre vendet e fundit në renditje ndërkohë, mbahen nga Lezha, Kukësi dhe Dibra, respektivisht me nga 16%, 12% dhe 10% familje në qark mesatarisht që kanë një biznes.

Në rast se këtë raport do ta bënim për banor, atëherë do të vinim re një ndryshim në tabelë, pasi vendin e parë do ta rrëmbente Gjirokastra, me rreth 8.2 sipërmarrës për 100 banorë, ndjekur nga Fieri dhe Berati, me 8.1 dhe 7.9 biznesmen për 100 banorë respektivisht. Durrësi, Kukësi dhe Dibra ndërkohë mbajnë tre vendet e fundit, me 4.3, 2.8 dhe 2.6 sipërmarrës për 100 banorë respektivisht. Vëmë re se në të dyja rastet, Durrësi është ndër vendet e fundit, paçka se bëhet fjalë për një prej qarqeve më të mëdha në vend dhe të dytin pas Tiranës sa i përket zhvillimit ekonomik në shumë indikatorë. Mesatarja kombëtare ndërkohë fiksohet në 5.8 sipërmarrës për 100 banorë.

Shifrat e përpunuara nga “Scan Intelligence Unit”, sa i përket popullsisë sipas qarqeve, anëtarëve për familje, apo bizneseve sipas qarqeve i referohen vitit 2020, si viti i fundit me të dhëna të përditësuara për të gjithë indikatorët e marrë në vlerësim. Raporti i sipërmarrjeve për familje apo individ ndërkohë i referohet vetëm një mesatare, që shërben si referencë për të kuptuar se në cilat qarqe ka më shumë frymë sipërmarrje dhe në cilat më pak. Në total, në të gjithë Shqipërinë, për vitin 2020 numërohen rreth 166 mijë biznese. Në të dyja rastet, si sa i përket bizneseve për individ, ashtu edhe atyre për familje, vëmë re një ndarje thuajse si me thikë të jugut me veriun e vendit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kërkesat për azil me rënie edhe në nëntor/ Pavarësisht tendencës, vijojmë të kryesojmë rajonin me numrin më të lartë

Postimi mëparshëm

Tiranë, ku janë shtuar më shumë bizneset? “Farka” regjistron rritjen më të lartë, “Krraba” me rënie të numrit të subjekteve gjatë vitit 2021

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.