Ekonomi

Buka, nga është e varur Shqipëria? Importi i drithërave zë 35% të kërkesës, çmimet u rritën me 21% vjet, Rusi-Ukrainë zënë gjysmën

0

Konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë ka nxitur një rritje të ndjeshme të çmimit të drithërave në nivel global, që mund të theksohet edhe më tej nëse ky konfilkt përshkallëzohet. Gjatë vitit 2020, Shqipëria ka prodhuar rreth 684 mijë ton drithëra, ndërkohë që ka importuar rreth 364 mijë ton. Pra, importi zë afërsisht rreth 35% të kërkesës vendase të drithërave, çka do të thotë se një krizë e mundshme në arenën ndërkombëtare do të kishte ndikim të ndjeshëm edhe në tregun vendas, ku që gjatë vitit të kaluar u vu re një rritje e konsiderueshme e çmimit të bukës si pasojë e shtrenjtimit të çmimeve në import. Por, si ka ndryshuar çmimi i drithërave në import në vendin tonë gjatë vitit të kaluar krahasuar me vitet e kaluara? Gjatë 2021-shit, sipas shifrave të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intelligence Unit” një kilogram drithëra u importua për një shifër mesatare prej 37 lekësh për kilogram, ndërkohë që në vitin 2020, kjo vlerë fiksohej pranë 30.59 lekëve për kilogram, pra në rritje me thuajse 21%, gjë që më pas u reflektua edhe në tregun vendas, me rritjen e çmimit të bukës dhe produkteve të tjera me bazë drithërat, kryesisht prodhime brumi. Sipas indeksit të çmimeve të konsumit, çmimi i bukës dhe drithërave gjatë vitit të kaluar u rrit me rreth 6%. Çmimi prej rreth 37 lekësh për kilogram rezulton të jetë më i larti që prej vitit 2012, kur fiksohej në rreth 38 lekë për kilogram. Shifrat e importeve të drithërave, si në vlerë ashtu edhe në peshë janë publike nga Instituti i Statistikave që prej vitit 2005, kur edhe regjistrohet çmimi më i ulët, me vetëm 15 lekë për kilogram.

Por, cfarë thotë gjeografia e importeve të drithërave? Në vend të parë, si vendi ku Shqipëria importon më shumë drithëra është Rusia, që zë rreth 41.2% të totalit në vlerë, dhe rreth 45.5% në peshë, nga 39.1% në vlerë që zinte në 2020-ën, apo 43.2% në peshë. Në vend të dytë ndjek Serbia, me rreth 36.2% të totalit të importeve në peshë, Franca me 3.5%, dhe Ukraina me rreth 2.93%. Pra, këto katër shtete zënë rreth 88% të totalit të importeve të drithërave në vendin tonë, dhe me përjashtim të Francës, tre shtetet e tjera përbëjnë kërcënim për përmbushjen e kërkesës si pasojë e paqëndrueshmëirsë që përfaqësojnë në arenën gjeopolitike. Kujtojmë se në janar të vitit të kaluar Rusia vendosi të dyfishojë taksën e eksportit të grurit dhe disa drithërave të tjera, me efekt prej muajit mars, çka për rrjedhojë rriti kostot edhe në tregun vendas.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi vendas, ku shkojnë shqiptarët? Në Vlorë dhe Durrës për pushime, në Tiranë, Korçë dhe Gjirokastër për biznes

Postimi mëparshëm

Kërkesat për azil me rënie edhe në nëntor/ Pavarësisht tendencës, vijojmë të kryesojmë rajonin me numrin më të lartë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.