Stoku i borxhit të jashtëm bruto i Shqipërisë ka prekur shifrën e 8.55 mld eurove gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Kjo shifër shënon një rënie prej 3.06% krahasuar me tremujorin paraardhës, kur fiskohej pranë 8.82 mld euro, tregojnë të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar, kur dy krizat e njëpasnjëshme, tërmeti dhe pandemia nuk kishin dhënë ende efekt në nevojat për financim të Shqipërisë, shifra është në rritje me 3.7%. Kjo do të thotë se këto dy kriza kanë “fryrë” me rreth 310 milionë euro stokun e borxhit të jashtëm bruto të vendit.
Ndërkohë, rritje të ndjeshme, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, prej 9.8%, regjistron stoku i borxhit të jashtëm bruto të qeverisë shqiptare. Në rënie është ai i Bankës Qendrore dhe koorporatave depozituese. Rritje të lehtë regjistron borxhi i jashtëm bruto i sektorëve të tjerë. Këto të dhëna sinjalizojnë se rritja e stokut të borxhit është “financuar” thuajse ekskluzivisht nga nevojat e larta për huamarrje nga qeveria e përgjithshme. Kjo e fundit, deri në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, zinte 48.2% të stokut të përgjithshëm të borxhit të jashtëm bruto të vendit. Rreth 15.9% e zotërojnë koorporatat e tjera depozituese, me përjashtim të Bankës Qendrore, ndërkohë që pjesa tjetër i takon pikërisht Bankës Qendrore dhe sektorëve të tjerë, si dhe investimit direkt. Sa i përket vetëm qeverisë së përgjithshme, thuajse e gjithë rritja e stokut është “financuar” nëpërmjet titujve të borxhit, në një kohë që stoku i huasë ka pësuar rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tregojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments