EkonomiStudime

Bilanci i supermarketeve gjatë pandemisë, – Rritën fitimet me 12% në 2020-ën, mbi 9 mln euro xhiro shtesë, vetëm “Spar” në rënie

0

“Scan Intelligence Unit” ka nisur një cikël analizash mbi tregje të caktuara në vend, për të kuptuar se si pandemia ka ndikuar në sektorë të caktuar. Ky cikël nisi me analizën mbi laboratoret mjekësore private në vend gjatë pandemisë, ku binte në sy një rritje e përgjithshme e fitimeve prej 407% (shiko këtu). Tashmë do të vazhdojmë me një tjetër sektor; atë të supermarketeve. Kemi marrë në analizë disa prej supermarketeve më të mëdha në vend, si për nga pozicioni, ashtu edhe për nga të ardhurat. Në analizë përfshihen 9 supermarkete, të ardhurat e të cilëve llogariten mbi 100 mln lekë. Duhet theksuar se, supermarkete si “Spar Albania” dhe “Conad Albania” figurojnë në QKB me nga një numër NIPT, pra përfshijnë performancën fiskale të të gjitha degëve që kanë të shpërndara në territorin e Republikës, ndërkohë që shumë rrjete të tjera supermarketesh i kanë degët e tyre si subjekt më vete, me numër NIPT më vete. Shembulli konkret është “BIG Market”, për të cilin ne kemi marrë në analizë vetëm degën pranë “City Park”, si një ndër më të mëdhatë në vend. Për këtë arsye, rrjetet si “Conad” dhe “Spar” figurojnë në krye të listës së të ardhurave dhe fitimeve, të cilat do t`i shohim me hollësi në vijim. Por, më me rëndësi janë ndryshimet në bilanc nga viti 2019, në 2020-ën, ku kemi jo pak surpriza.

Nga analiza e pasqyrave financiare për vitin 2020, rezulton se "Spar Albania" është supermarketi me nivelin më të lartë të të ardhurave. Rreth 6.7 mld lekë rezulton të jetë xhiro vjetore për këtë subjekt gjatë 2020-ës, duke e vendosur "Spar Albania" në vend të parë, ndër 9 të tilla që janë marrë në studim. Rritja vjetore e të ardhurave për "Spar" fiksohet në vlerat e 5.94%. “Conad” është rrjeti tjetër i supermarketeve, të ardhurat e të cilit për vitin 2020 llogariten në 3.4 mld lekë duke e renditur atë të dytin në listën e 9 supermarketeve me të ardhurat më të larta vjetore. Në krahasim me 2019-ën, të ardhurat janë rritur me rreth 17% për vitin 2020. "Big Market-City Park" dhe "EuroMarket-Korçë" janë dy supermarketet e tjerë që plotësojnë 4 vendet e para, përkatësisht 697 mln lekë të ardhura për "Big Market-City Park" dhe rreth 615 mln lekë të ardhura për "EuroMarket-Korçë". Për vitin 2020 rritja në nivelin e të ardhurave për këto supermarkete llogaritet në 17% për "Big Market" dhe rreth 13% për "EuroMarket".

Për nga niveli i fitimit, është "Conad Albania" që regjistron nivelin e fitimit më të lartë për vitin 2020. Rreth 250 mln lekë llogaritet fitimi për këtë supermarket. Ndonëse me të ardhura që janë sa gjysma e të ardhurave të "Spar Albania", "Conad" ka arritur të renditet në vendin e parë të listës për nga niveli i fitimit, fitim i cili është rreth 50 mln lekë më shume se në vitin 2019. "Spar Albania" renditet i dyti, ku fitimi për vitin 2020 llogaritet në 56 mln lekë. Pavarsisht se ky supermarket renditet I dyti për nga niveli i fitimit, pasqyrat financiare tregojnë se fitimi për vitin 2020 u ul me 6.3 mln lekë, krahasuar me 2019, ose me rreth -10.03%. Renditja vijon me "Big Market-City Park" dhe "EuroMarket-Korçë", fitimi i të cilëve lë pas 5 supermarketet e tjera që zhvillojnë aktivitetin ekonomik brenda territorit të Shqipërisë. Fitimet neto për këto supermarkete përllogariten në 29 mln lekë për "EuroMarket-Korçë" dhe 14.3 mln lekë për "BigMarket-City Park". Të dy supermarketet gëzojnë rritje në nivelin e fitimit krahasuar me 2019-ën, përkatësisht 70.47% për "BigMarket-City Park" dhe 92,18% për për "EuroMarket-Korçë".

Përgjatë periudhës 4 vjeçare të marrë në studim, 4 supermarketet e përmendura më sipër, për vitin 2020 rezultojnë me nivelin më të lartë të të ardhurave. Ndërsa për nga niveli i fitimit, "Spar Albania" është supermarketi që regjistron nivelin më të ulët të fitimit në këto 4 vite. Tre supermarketet e tjera regjistrojnë nivelin e fitimit më të lartë për 4 vite gjatë 2020-ës. Rënia e fitimeve me rreth 10% për "Spar Albania" gjatë 2020-ës, në një kohë që të gjitha supermarketet e tjera kanë rritur fitimet e tyre, mund të jetë edhe rrjedhojë e masave kufizuese anti-covid, duke qenë se dy degët më të mëdha të këtij rrjeti gjenden brenda dy qendrave tregtare.

Në total, supermarketet e marra në analizë, disa prej më të mëdhenjve në vend, kanë rritur fitimet e tyre gjatë 2020-ës, vitit të pandemisë, me 12%, ose 64 mln lekë. Rritja e të ardhurave ndërkohë fiksohet pranë 11%, me 1.1 mld lekë, ose rreth 9 mln euro. Kjo xhiro shtesë vjetore i atribuohet vetëm 9 supermarketeve të marra në analizë nga "Scan Intelligence Unit".

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Legjislatura 2017-2021, deputetët “fantazëm”- gati 8 herë më pak ligje të propozuara se ekzekutivi

Postimi mëparshëm

Projektet e reja të “Rama 3”. Nga regjistrimi i popullsisë, te digjitalizimi i kulturës, apo pikat e karikimit për makinat elektrike

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.