Ekonomi

Analiza e tregtisë së jashtme për 2021/ Efekti i inflacionit, rritja e hidrokarbureve, “shfaqja” e Arabisë Saudite

0

Tregtia e jashtme ka regjistruar një rritje vjetore mjaft të lartë gjatë vitit të kaluar, tregojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar me imtësi shifrat zyrtare për të kuptuar ecurinë e vëllimeve tregtare gjatë vitit të kaluar, në import, eksport, sipas vendeve, dhe sipas produkteve. Fillimisht e ndalim fokusin te analiza e importeve, sipas kapitujve, për të kuptuar se cilat produkte kanë regjistruar rritjen më të madhe. Jemi fokusuar vetëm te lista e 10 produkteve më të importuara, pra ato që kanë një vlerë nominale domethënëse. “Lëndët djegëse minerale” mbajnë vendin e parë sa i përket produktit që zë peshën më të madhe të importeve. Ndiqet nga giza me çelikun. Ndër 10 produktet me vlerën më të lartë të importit në vend, rritjen më të madhe vjetore e regjistron pikërisht “lëndët djegëse minerale”, në rritje me 98.1% në vlerë karahasuar me të gjithë vitin pararendës. Totali i importeve për 2021-shin është ngjitur në 100.6 mld lekë, ose 824 milionë euro, nga vetëm 50.8 mld lekë që ishte në 2020-ën, ose 416 milionë euro, pra thuajse dyfishim. Kjo rritje duket të jetë kryesisht efekt i rritjes së çmimeve, pasi në peshë rritja fiksohet në vetëm 21%. Produkti i dytë i importit me rritjen më të madhe është giza dhe çeliku, me 61% në vlerë, dhe ndiqet nga pijet alkoolike, me rreth 35%. Edhe këtu vihet re efekti i inflacionit, pasi në peshë rritja fiksohet në vetëm 20.5%. Edhe plastika regjistron një rritje të ndjeshme, me rreth 34% në vlerë sa i përket importeve gjatë 2020-shit. Nga 100 produkte në listën e importeve, vetëm 6 prej tyre regjistrojnë një rënie në vlerë gjatë vitit të kaluar: “Mbushjet shajak dhe pëlhura të paendura”, “Frutat dhe arrat e ngrënshme”, “Artikuj të tjerë tekstile të ndërt., veshjet e përd., lecka mbetu”, “Mallrat fotografike dhe kinematografike”, “Produkte me origjinë kafshore të papërfshira diku tjetër”, “Materiale vegjetale që përdoren për thurje”.

Sa i përket eksporteve ndërkohë, edhe këtu gjejmë në vend të parë lëndët djegëse minerale, në terma absolutë. Shqipëria ka eksportuar 50 miliardë lekë hidrokarbure gjatë vitit të kaluar, që përkthehet në 412 milionë euro, ndërkohë që në 2020-ën bëhej fjalë për vetëm 23 miliardë lekë eksporte. Edhe këtu vëmë re se rritja është thuajse tërësisht efekt i rritjes së çmimeve, pasi në peshë rritja është vetëm 2.7%. Pra, Shqipëria nuk ka eksportuar më shumë hidrokarbure, por ka fituar thuajse dyfishin e vlerës, krahasuar me vitin paraardhës. Në terma nominalë ndërkohë, pra sa i përket ndryshimit vjetor mes produkteve të eksportit që regjistrojnë vlerën më të lartë, në vend të parë gjejmë gizën dhe çelikun, me 48.2 miliardë lekë eksporte, nga 21.3 mld lekë që ishte në 2020-ën, pra një rritje prej 126.9%. Edhe këtu vëmë re efektin e inflacionit, por në terma më të moderuar se te hidrokarubret, pasi në peshë rritja vjetore fiksohet në 41%. Me rreth 86% rritje në vend të tretë sa i përket ndryshimit vjetor vëmë re aluminin dhe produktet prej tij. Ndërkohë, ndryshe nga importet, në drejtim të eksporteve, janë rreth 20 produktet të cilat vihen re në rënie vjetore në vlerë, dhe kallaji me nikelin regjistrojnë rënien më të madhe. Ndër produktet me rënien më të madhe të eksproteve bien në sy edhe drithërat, si në vlerë, ashtu edhe në peshë, me rënie mbi 70%.

Duke kaluar te analiza e zgjeruar e tregtisë së jashtme sipas vendeve partnere, në drejtim të importeve, vëmë re se dy vendet e para janë të pandryshuara krahasuar me 2020-ën, me Italinë dhe Turqinë ndjekëse. Me Italinë importet janë rritur me 27.9%, për të arritur në 194 miliardë lekë, ose rreth 1.6 miliardë euro. Diferenca vjetore në vlerë fiksohet në 42 miliardë lekë, ose 343 milionë euro më shumë importe gjatë 2021-shit, krahasuar me 2020-ën. Me Turqinë rritja vjetore fiksohet në 48.6%, për të arritur në 86 miliardë lekë, nga rreth 58 miliardë që ishte vitin pararendës, me një diferencë prej 28 miliardë lekësh, ose 230 milionë euro. Ajo që bie në sy është fakti se Kina ka zhvendosur Greqinë nga vendi i tretë, duke u pozicionuar në 2021-shin si partneri i tretë më i madh tregtar i Shqipërisë në terma importesh, me një rritje vjetore prej 20.7%. Kosova është padiskutim një ndër risitë më të mëdha të tregtisë së jashtme përgjatë vitit të kaluar, duke u ngjitur në vendin e 7-të si partneri më i madh tregtar në vend sa i përket importeve, nga vendi i 14-të që ishte në 2020-ën, dhe me një rritje të importeve ne vlerë prej 7.1 miliardë lekësh, ose 58 milionë euro më shumë importe se 2020. Rritja vjetore fiksohet në rreth 86%. Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia e Veriut kanë fituar disa pozicione, duke zbritur më poshtë Francën dhe Zvicrën. Një ndër shtetet që bie më shumë në sy është Arabia Saudite, e cila në 2020-ën ishte partneri i 62-të më i madh tregtar në import me vendin tonë, ndërsa vitin e kaluar është ngjitur në vendin e 15-të, me një rritje vjetore prej më shumë se 2400%, për të arritur në rreth 11 miliardë lekë importe, ose rreth 90 milionë euro. Por çfarë ka ndodhur me Arabinë Saudite që është shfaqur në skenë? Rreth 88% e totalit të importeve tona me Arabinë Saudite gjatë vitit të kaluar ka qenë hidrokarbure, ose më saktë 9.66 miliardë lekë. Në vitin 2020-ën, Arabia Saudite eksportonte në Shqipëri një vlerë thuajse inekzistente të këtyre produkteve. Një rritje tjetër të ndjeshme të importeve nga Arabia Saudite regjistrojnë edhe alumini me produktet e tij. Një rritje të ndjeshme regjistrojnë edhe vende si Turkmenistani, Azerbaixhani, kazakistani apo Kolumbia. Sa i përket eksporteve sipas vendeve partnere ndërkohë, tre vendet e para të listës duken të pandryshuara krahasuar me vitin 2020: Italia, Kosova dhe Spanja, ndërkohë që vihet re një ndryshim në vendin e 4-tët me një ndërrim pozicionesh mes Gjermanisë dhe Greqisë, në favor të vendit fqinj.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Në cilat qytete paguhesh më shumë dhe në cilat më pak? Kryeqyteti dhe Dropulli në vend të parë, Himara në fund të listës

Postimi mëparshëm

Konsumi u rrit me 1.5%/ Elbasani, Dibra dhe Gjirokastra me rritjen më të madhe, në Tiranë dhe Durrës, familjet u “shtrënguan” më shumë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.