Më parë “Scan Intelligence Unit” ka trajtuar akset rrugore si Rruga e “Arbrit”, aksi “Kardhiq-Delvinë” dhe aksin “Qukës- Qafë Plloçë” akse të cilat janë në mbikqyrejn e ARRSH-së dhe pritet të mbarojnë në vitin që vjen, për të kuptuar si është progresi i punimeve dhe kur dorëzohen si vepra.
Këtë herë “Scan Intelligence Unit” ka siguruar të dhëna për sa i përket akseve rrugore të cilat janë në mbikëqyrjen e FSHZH-së (Fondi Shqiptar i Zhvillimit). Në raport përfshihen 26 akse rrugore, ku në pjesën më të madhe janë kryer më shumë se gjysma e punimeve dhe vetëm 3 prej tyre kanë përfunduar plotësisht.
Rrugë të cilat konsiderohen të rëndësishme si për nga shkurtimi i kohës së udhëtimit dhe siguria cilësohet rruga e Lumit Vlorë dhe ndërtimi i Unazës Berat, në të cilat janë zhvilluar 55% e punimeve. Sipas FSHZH-së, rruga e Lumit Vlorë pirtet të përfundojë në Maj të 2022 dhe Unaza e Beratit nuk ka një afat përfundimtar.
Rikonstruktimi i rrugës Qafë Thore-Theth, e cila bën të mundur aksesimin e një prej zonave turistike më të vizituara të veriut që është Thethi, ka një përqindje realizimi deri tani pranë 65%. Përfundimi i kësaj rruge është në varësi të kushteve atmosferike, pasi në qershor kanë rifilluar punimet.
Gjithashtu një ndër rrugët që FSHZH ka në mkikëqyrje është dhe rruga e Vendit të Shenjtë në Malin e Tomorrit, punimet e të cilës kanë arritur në fazën 70%. Afati i përfundimtar, sipas FSHZH është në fund të muajt nëntor 2021.
Rrugë të cilat janë në përfundim të punimeve, sipas afatit përfundimtar të përcaktuar nga FSHZH janë: rikonstruksioni i rrugës Bënçë-Lekdush, rikonstruksioni i rrugës 'Iljaz Kosova' Elbasan, rikonstruksioni i rrugës Kuç-Gusmar.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments