Qeveri të ndryshme të botës, përfshirë atë shqiptare, kanë ndërmarrë masa të ndryshme, deri diku edhe jo konvencionale, për të përballuar disi krizën energjetike. Çmimi i hidrokarbureve ka prekur nivele mjaft të larta në tregjet botërore, duke shkaktuar probleme, te bizneset, por edhe te konsumatorët familjarë. Manuale dhe këshilla të ndryshme gjatë kësaj periudhe janë përhapur me shpejtësi në rrjet për mënyrën se si mund të kursejmë karburantin. Edhe pse ndoshta pakujt i ka shkuar ndërmend, një prej këtyre i referohet pikërisht dritave të makinës. Këto të fundit, duan energji për të funksionuar, dhe për rrjedhojë konsumojnë më shumë karburant kur janë të ndezura. Fikja e tyre, kur janë të panevojshme, gjatë ditës, rrjedhimisht, kursen konsumin e karburantit dhe sjell përfitime monetare. Por në cfarë mase është ky kursim? Studime të ndryshme shkencore, dhe në veçanti një studim që i referohet Europës, tregojnë se dritat e makinës ndezur gjatë ditës kursejnë deri në 1.5% të konsumit. Ky studim bazohet në faktin se 70% e përdorimit të makinës bëhet gjatë orëve të ditës, pra kur nuk është i nevojshëm përdorimi i dritave domosdoshmërisht.
Por si përkthehet ky kursim në realitetin shqiptar? Gjatë vitit 2020, në vendin tonë janë konsumuar rreth 649 milionë litra hidrokarbure, bazuar në shifrat e koncesionarit të markimit të karburanteve, GFI. Mbi 90% e mjeteve motorike që qarkullojnë në vendin tonë punojnë me naftë ose benzinë, ku pjesën dërrmuese e zënë ato me naftë, gati ¾ e totalit. Për këtë arsye, në referencë do të marrim çmimin e naftës në pikat fundore, me 233 lekë për litër (çmim i vlefshëm për datën 25 mars sipas vendimit të bordit). Në total, fikja e dritave të makinës gjatë ditës, do të sillte një kursim vjetor, deri në 9.73 milionë litra, ose 2.2 mld lekë, që e përkthyer në euro, rezulton në rreth 18 milionë euro. Kjo shifër ka vlerë në rast se marrim të mirëqenë që të gjitha mjetet që qarkullojnë në Shqipëri i mbajnë dritat ndezur gjatë ditës, kudo. Deri në këtë shifër mund të arrijë kursimi total vjetor i karburantit në vendin tonë, në rast se dritat e makinës nuk do të ndizeshin gjatë ditës. Për automjet, ky kursim fiksohet mesatarisht në rreth 9.89 lekë në ditë, ose 3609 lekë në vit, mesatarisht, bazuar në shifrat e konsumit të hidrokarbureve në vendin tonë.
Gjithsesi, duhet theksuar se mbajtja e dritave të makinës ndezur edhe gjatë ditës, vlerësohet se ul aksidentet rrugore, deri në rreth 15%, sipas studimeve të ndryshme.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments