Më shumë se 6 në 10 shqiptarë janë të pakënaqur me nivelin e tyre të jetesës. Kjo e dhënë del në pah nga edicioni i 4-tët i “Barometrit Ekonomik Scan”, i cili zhvillohet në formën e një ankete gjithëpërfshirëse në të gjithë territorin e vendit mbi 1 mijë individë. Janë saktësisht 62% e të anketurave të cilët shprehen se nuk janë të kënaqur me nivelin e tyre të jetesës.
Të dhënat e detajuara tregojnë se, 38% e shqiptarëve janë më së shumti të pakënaqur ndërsa 24% janë plotësisht të pakënaqur, që përkthehet në thuajse 1 në 4 qytetarë. Nga krahu tjetër ndërkohë, vetëm 35% shprehen të kënaqur me nivelin e tyre të jetesës, nga ku 31% shprehen më së shumti të kënaqur dhe vetëm 4% shprehen plotësisht të kënaqur. Rreth 3% e të anketuarve ndërkohë nuk i japin dot përgjigje kësaj pyetje. Pra, diferenca mes atyre që janë plotësisht të kënaqur dhe atyre që janë plotësisht të pakënaqur është tej mase e theksuar.
Të dhënat që i referohen tremujorit të 4-tët të vitit të kaluar tregojnë se krahasuar me periudhën pararendëse, pra tremujorin e tretë të vitit ka një përkeqësim në nivelin e jetesës së shqiptarëve, pasi të pakënaqurit janë ngjitur në 62% nga 60% që ishin, çka është në linjë me përkeqësimin e thuajse të gjithë indikatorëve të barometrit ekonomik, por edhe në linjë me situatën e peirudhës në referencë, që përkon me nisjen e inflacionit të produktve të shportës.
“Barometri Ekonomik Scan” përmban një sërë komponentësh që ilustrojnë me shifra nivelin e jetesës dhe atë të mirëqënies së shqiptarëve. Të dhëna të tjera tregojnë se 38% e shqiptarëve nuk e përballojnë dot një automjet, 45% nuk hanë dot mish rregullisht, 37% kanë problem me pagesën e faturave të energjisë dhe ujit, rreth 50% hasin probleme të paguajnë qiranë apo këstin e kredisë (mes atyre që kanë), rreth 67% nuk bëjnë dot pushime vjetore, etj, etj.
KLIKONI KETU PER RAPORTIN E PLOTE
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments