Ekonomi

60% e familjeve jetojnë me vetëm 327 euro në muaj/ Të ardhurat mujore të 20% më të pasur, 1555 euro në muaj

0

Të ardhurat mesatare vjetore të një familje shqiptare fiksohen në 961,379 në vit, çka përkthehet në rreth 7,900 euro. Në muaj, mesatarja e të ardhurave të një familje shqiptare fiksohet në 80,115 lekë, ose 657 euro. Ndërkohë, sipas parimit të medianës, i cili është më realist kur ka heterogjenitet të lartë, pra pabarazi, të ardhurat e familjeve shqiptare fiksohen në vetëm 723 mijë lekë në vit, ose 60 mijë lekë në muaj, rreth 500 euro në muaj. Këto të ardhura mujore i referohen një familje të plotë, që mesatarisht në vendin tonë, sipas Bankës së Shqipërisë përbëhet nga 3.4 persona. Të ardhurat nuk përfshijnë vetëm pagën, apo pensionin, pore he remitancat, ndihmën sociale, fitimet nga biznesi apo qiraja, etj, etj.

Në vrojtimin mbi pasurinë e familjeve shqiptare, Banka e Shqipërisë analizon edhe shpërndarjen e pasurisë së familjeve shqiptare sipas karakteristikave të ndryshme, që nga statusi i punësimit, i edukimit, etj. Për nivelin më të ulët, të ardhurat mujore të një familje shqiptare vlerësohen në vetëm 15 mijë lekë në muaj, ose 123 euro. ndërkohë që për nivelin më të lartë vlerësohen në 202 mijë lekë në muaj, ose 1660 euro. Bazuar në percentilen e të ardhurave, të dhënat tregojnë që familjet më të pasura i kanë të ardhurat 3.4 herë më të larta se familjet me të ardhura mesatare (percentilja e 50-të), ndërsa familjet me të ardhura mesatare (percentilja e 50-të) i kanë të ardhurat 4 herë më të larta se familjet me të ardhurat më të ulëta (percentilen e 5-të). “Vlerësimet e mësipërme tregojnë se niveli i pabarazisë së të ardhurave në rastin e Shqipërisë është i lartë dhe lëvizja e familjeve nga një kategori në tjetrën shoqërohet me efekte të forta financiare në të ardhura”-thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.

“Scan Intelligence Unit” i ka analizuar edhe më tej të dhënat, për të kuptuar jo vetëm nivelin e pabarazisë, por edhe për të kuptuar se sa të ardhura në muaj kanë shumica dërrmuese e familjeve shqiptare. Nga kjo analizë e të dhënave rezulton se thuajse 60% e familjeve në vendin tonë, ose 59.8% e totalit kanë të ardhura vjetore, mesatarisht prej 475 mijë lekësh, çka do të thotë vetëm 327 euro në muaj. Rreth 80% e familjeve ndërkohë kanë të ardhura mujore prej vetëm 429 eurosh. Ndërkohë, rreth 20% e familjeve shqiptare ka të ardhura në rreth 2.2 milionë lekë në vit, ose 1555 euro në muaj, pra rreth 4 herë më të larta.

Të dhënat mbi nivelin e të ardhurave të familjeve shqiptare nxjerrin në pah edhe disa paradokse. Vëmë re se në familjet ku kryefamiljari është pensionist, të ardhurat e familjes janë më të larta se në ato ku kryefamiljari është i vetëpunësuar. Gjithashtu, vëmë re se familjet ku kryefamiljari ka arsim të mesëm kanë më shumë të ardhura se ato ku kryefamiljari ka vetëm arsim fillor. Familjet ku kryefamiljari është mbi 75 vjeç kanë më shumë të ardhura se ato ku kryefamiljari ka një moshë që varion nga 35-44 vjeç.

Nga ana tjetër, vrojtimi tregon se burimi kryesor i të ardhurave të familjeve shqiptare është puna, që zë nga 49% deri në 64% mesatarisht. Burimi i dytë ndërkohë janë dërgesat e emigrantëve. Remitancat zënë mesatarisht nga 14% deri në 23% të totalit të të ardhurave të një familje shqiptare. Burimi i tretë janë ndihmat sociale, nga 6% deri në 15%
Vërehet gjithashtu se burimet e tjera të të ardhurave, si të ardhurat nga qiraja apo të ardhurat nga interesat, zënë një përqindje fare të vogël, në totalin e të ardhurave. “Këto statistika tregojnë se goditjet negative në të ardhurat nga puna dhe ato nga emigrantët, së bashku, përbëjnë afërsisht 60-80% të totalit të të ardhurave të familjes, dhe kanë një ndikim përcaktues në konsumin-kursimin e familjeve, si dhe në sjelljen financiare të tyre”-nënvizohet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Marsi “tkurr” depozitat e shqiptarëve/ Bien për të dytin muaj me radhë, por vetëm në lek, rritje e ndjeshme për ato në euro

Postimi mëparshëm

Pandemia, Shqipëria qendrore si Lombardia/ 2.7 vite jetë të humbura për qendrën e Shqipërisë, ndër 5 rajonet më të goditura në Europë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.