EkonomiFunData

50 fakte rreth Tiranës/ Kryeqytetasit në 360 gradë, nga biznesi, martesat, çiklistët e deri tek Kulla e Sahatit

0

Gjithçka duhet të dini rreth Tiranës, njësive administrative, biznesit, zonave rurale dhe urbane, martesave dhe divorceve, popullsisë, parkingut, çiklistëve e deri tek numri mesatar i vizitorëve tek Kulla e Sahatit, i gjeni të përmbledhura sa më poshtë, në 50 fakte:

1- Popullsia e Bashkisë Tiranë është 863,694 banorë.
2- Dendësia e popullsisë së Tiranës është 777 banorë/km2.
3- Kulla e Sahatit është vizituar nga 5,281 turistë të huaj gjatë vitit 2019, 703 turistë të huaj gjatë 2020-ës dhe nga 343 vizitorë të huaj gjatë 2021, kryesisht shtetas europianë dhe aziatikë.
4- Një autobus urban në Tiranë vjen mesatarisht një herë në 12 minuta në stacion.
5- Tirana numëron rreth 46 kopshte publike. Gjatë muajit Qershor këto kopshte janë frekuentuar nga 3,868 femijë gjithsej.
6- Njësia 11, e njohur ndryshe si “Lapraka” regjistron numrin më të lartë të divorceve në Tiranë me 199 të tilla, e ndjekur nga Njësia 5 ose “Tirana e Re” me 197 divorce dhe “21 Dhjetori” me 188 divorce. Ndër njësitë e vjetra të Tiranës, ajo me numrin më të ulët të divorceve është Njësia 1, e njohur ndryshe si “Ali Demi”, me 68 divorce. Në Njësinë Shëngjergj nuk është regjistruar asnjë divorc, ndërsa në Baldushk e Bërzhitë janë regjistruar dy divorce.
7- Policia bashkiake vendos mesatarisht 25,000-30,000 në muaj për shkelje të qarkullimit rrugor apo parkim të gabuar. Njësitë Administrative më të gjobitura për muajin Maj 2022 ishin njësia nr.5 me 1,733 gjoba dhe njesia nr.7 me 1,131 gjoba, sa i përket gjobave të identifikuara me një adresë.
8- Ditët më të përdorura të biçiketës nga çiklistët në Tirana janë nga e Mërkura në të Premte, piku i lëvizjes është mëngjesi rreth orës 8:00 dhe mbasditja rreth orës 4:00-5:00. Në fundjavë piku i lëvizjes është paradite rreth orës 11:00 dhe në mbasdite rreth orës 7:00.
9- Tirana ka 434 stacione autobuzësh.
10- Shpejtësia mesatare e mjeteve që qarkullojnë në rrugët kryesore të Tiranës në orar normal është 28 km/orë. Orari normal i referohet orës 11:00.
11- Mesatarisht çdo vit dendësia e popullsisë së Tiranës rritet me 11 banorë/km2.
12- Rreth 46.3% e popullsisë së Tiranës janë nën 35 vjeç.
13- 11.3% të popullsisë së Tiranës e përbëjnë fëmijët e moshës 0-9 vjeç.
14- Një familje në Tiranë përbëhet mesatarisht nga 3 banorë.
15- Në Bashkinë Tiranë, figurojnë gjithsej 309,179 familje.
16- Viti me rritjen më të lartë të popullsisë ka qenë 2017-a, me një shtesë prej 20,769 banorësh.
17- Në një vit divorcohen 1,863 çifte dhe martohen 3,822 të tillë.
18- Krahasuar me vitin paraardhës, numri i divorceve është rritur me 39%, ndërsa numri i martesave me 9%.
19- Mosha mesatare e popullsisë së Tiranës është 36,6 vjeç.
20- Lagjia 13 ka banorët me moshën mesatare me të re me 31,5 vjeç, ndersa njësia administrative nr.4 ka banorët me moshën mesatare më të vjetër, 40 vjeç.
21- 17.1% e banorëve të Tiranës i përkasin grupmoshës 0-14 vjeç, 70% të banorëve i përkasin grupmoshës 15-64 vjeç dhe 12% i përkasin grupmoshës mbi 64 vjeç.
22- Në Tiranë 36% e banorëve janë nën 30 vjeç, 44% e popullsisë është nën 35 vjeç dhe 50% nën 39 vjeç.
23- Rreth 1/4 e banorëve të Tiranës është mbi 55 vjeç.
24- Rreth 70% e popullsisë së Tiranës është në moshë pune.
25- Nga njësitë urbane, njësia 5 ka përqëndrimin më të madh të popullsisë më 10.1% të banorëve e ndjekur nga njësia 2 me 9.7% dhe njësia 10 ka përqindjen më të ulët të banorëve me 3.2%.
26- Nga njësitë administrative rurale, Kashari ka përqindjen më të lartë të popullsisë me 6.7% të banorëve dhe përqëndrimin më të ulët të popullsisë e ka njësia Shëngjergj me 0.3% të banorëve të Tiranës.
27- Tiranë ka 2,994 vendparkime të dedikuara për automjetet në zonat rezidenciale, 461 zona të dedikuara si vendparkime per Taxi, dhe 60 vendparkimeve për invalidë.
28- Në një muaj shiten mesatarisht 10,000 bileta parkingu pranë pikave të biletarive në 12 sheshet kryesore (Sheshi Skenderbej 30%, Bulevardi i Ri, 14%, Sheshi Dinamo 10% ,Sheshi Air Albania 7%, Diga e Liqenit 7%, Sheshi Qytet Studenti 7%, Sheshi “7 Xhuxhat” 7%, Sheshi Asllan Rusi 6%, Avni Rustemi 6%, Kopshti Zoologjik 6%, Sheshi “Sheqeri Pikant” 3%, Sheshi Infosoft 1%)
29-Në terminalin ndërqytetas Veri-Jug operojnë 49 linja autobuzësh, prej të cilave cilave 30 linja ndërqytetase me destinacion Jugun dhe 19 Linjat ndërqytetase me destinacion Veriun.
30- Mesatarisht nga terminali Veri-Jug nisen në ditë 219 autobuzë, prej të cilëvë 116 i drejtohen Jugut dhe 103 me destinacion veriun.
31- Në terminalin ndërqytetas Juglindje operojnë 21 linja autobuzesh, të cilët zotërojnë 120 automjete gjithsej.
32- Në terminalin ndërkombëtar dhe Kosovës operojnë 30 linja autobuzësh, të cilët zotërojnë 112 automjete gjithsej.
33- Sipas tabela elektronike, të vendosura nga Bashkia Tiranë të cilat numërojnë biçikletat që kalojnë deri ne Maj 2022 në 4 pika matëse kanë kaluar gjithsej 1,397,636 biçikleta.
34- Pika më e frekuentuar nga çiklistët është Rruga e Kavajës ku kanë kaluar 570,579 biçikleta ndërsa pika më pak e frekuentuar është Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” përgjatë të cilës kanë kaluar gjithsej 139,138 biçikleta.
35- Dita me fluksin më të lartë të biçikletave ka qenë data 24 Maj 2022 ku në pikën e vendosur në Rrugën e Kavajës kanë kaluar 5,971 biçikleta.
36- Në Tiranë operojnë 16 linja të trasportit publik, të cilët disponojnë 311 autobuzë gjithsej me moshës mesatare 9+ vjeçare.
37- Në një muaj, trasportin publik e përdorin mesatarisht 3,015 mln pasagjere, prej të cilëvë rreth 1,6 mln qarkullojnë me abone dhe 1,4 mln me bileta dhe 15,000 me libreza.
38- Në 6-mujorin e parë të 2022 në Tiranë janë rregjistruar 4,724 subjekte të reja, prej të cileve 1,185 subjekte që operojnë në shitjet me pakicë, 302 subjekte që operojnë në shitjet me shumicë, 132 njësi prodhimi, 145 subjekte që operojnë në ndërtimi, 2569 njësi shërbimi, 29 shoqata, fondacione, 302 subjekte që operojnë si profesione të lira, 59 shoqata transporti dhe 684 subjekte sekondare.
39- 2,350 subjekte kyesore janë mbyllur gjatë 2021(prej të cilave 203 biznese të mëdha, 2,141 biznese të vogla, 2 biznese VIP dhe 1 të tjerë) dhe 1,132 biznese sekondare. 3,482 biznese gjithsej.
40- 30%-35% e bizneseve në Shqipëri, e kryejnë aktivitetin e tyre në Tiranë.
41- Bizneset me 1-4 të punësuar përbëjnë rreth 84% të bizneseve që operojnë në kryeqytet ose tetë në dhjetë biznese.
42- Rreth gjysma e bizneseve me 50 dhe më shumë të punësuar ushtrojnë aktivitetin ekonomik në Tiranë (49.1%).
43- Bizneset me formë ligjore “person fizik” zenë rreth 68% të bizneseve në Bashkinë Tiranë, personat juridik zënë rreth 32%.
44- Ndër subjektet që operojnë në qarkun Tiranë, 66% e tyre kanë për administrator një burrë, ndërkohë qe 34% e tyre kane për administratore një vajzë apo grua.
45- Bizneset me pronarë apo bashkëpronarë të huaj zënë 8,34% të bizneseve të Bashkisë Tiranë. Numri i bizneseve me pronësi ose bashkëpronësi të huaj në Tiranë është rreth 4000.
46- 64.87% e bizneseve me pronësi të huaj ose të përbashkët, ushtrojnë aktivitetin e tyre në Tiranë.
47- Kashari është njësia rurale me numrin më të madh të bizneseve në Tiranë me 7,81% e ndjekur nga Farka me 2,82%. Zall Bastari dhe Shëngjergji janë njësitë rurale me numrin më të vogël të bizneseve në Tiranë duke zënë secila 0,05% të totalit të bizneseve.
48- Në 2022 në Tiranë, regjistrohen 54,272 subjekte kryesore dhe 8,283 subjekte sekondare. Ndër të cilat, 10,230 janë biznese të mëdha, 41,359 janë biznese të vogla, 519 janë biznese VIP, dhe 2,164 janë biznese të tjerë.
49- Tirana ka rreth 56 objekte të trashëgimisë kulturore dhe 141 pika turistike si Kulla e Sahatit, Shtëpia me gjethe, Bunkart 1,2, Sheshi i Pazarit, Kalaja.
50- Bashkia Tiranë numëron disa qëndra të kujdesit social si “Qendra Sociale Multidisiplinare”, “Qendra Sociale Të Qëndrojme së Bashku”, “Qendra Ditore Shtëpia e Përbashkët”, “Qendra Sociale Komunitare Shkozë”, “Qendra Komunitare Gonxhe Bojaxhi”, “Qendra Sociale Streha Tiranë”, “Qendra Komunitare e Terrenit”, “Qendra Ditore Shtëpia e Ngjyrave” dhe shërbimi emergjencës, “Qendra Ditore për fëmijët që jetojnë dhe punojnë në situatë rruge.

Shënim: Të dhënat e sipërpërmendura, bazohen në publikimet zyrtare të Bashkisë Tiranë, kryesisht gjatë vitit 2022 dhe pjesërisht gjatë vitit 2021.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Huatë e reja për biznesin/ Rritet me 40% tregtia me shumicë dhe pakicë, 6.49 mld lekë për Qershorin

Postimi mëparshëm

3 në 4 familje në shtëpi private/ Tendenca në rritje, bie norma e familjeve në apartamente dhe atyre me qira

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.