Barometri EkonomikEkonomi

43% e shqiptarëve mendojnë të emigrojnë/ 6% kanë një plan konkret dhe 2% kanë valixhet gati

0

Më shumë se 4 në 10 shqiptarë mendojnë të emigrojnë nga vendi, tregojnë të dhënat më të fundit nga “Barometri Ekonomik Scan”. Më saktësisht, 43% e shqiptarëve e mendojnë apo planifikojnë emigrimin, ndërsa vetëm 57% shprehen se nuk kanë ndërmend të emigrojnë. Të dhënat vijnë në formën e një ankete gjithëpërfshirëse në të gjithë Republikën, çka do të thotë se nuk është e fokusuar vetëm te të rinjtë, por te të gjitha grupmoshat, gjë që i jep edhe më shumë peshë shifrës prej 43% të atyre që e mendojnë të largohen nga vendi. Sa i përket pikërisht këtyre të fundit, mes tyre, 35% shprehen se e kanë thjesht si mendim, 6% shprehen se kanë një plan konkret, ndërkohë që 2% shprehen se kanë përfunduar dokumentacionin dhe presin vetëm që të ikin nga vendi. Pra, rreth 8% e shqiptarëve duket se janë gati për t`u larguar. Duhet theksuar se pyetja e drejtuar nuk i referohet dëshirës për të emigruar, por planeve dhe mendimit konkret për t`u larguar nga vendi.

Të dhënat i referohen tremujorit të fundit të vitit të kaluar dhe tregojnë se nuk ka ndryshime në raportin e përgjithshëm mes atyre që e mendojnë dhe atyre që nuk e mendojnë të largohen nga Shqipëria, krahasuar me tremujorin paraardhës. I vetmi ndryshim gjendet vetëm mes atyre që mendojnë të emigrojnë, nga ku në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, 35% deklarojnë se vetëm po e mendojnë, nga 36% në periudhën pararendëse, ndërkohë që duket se 1 pikë përqindje ka kaluar te ata që kanë një plan konkret. Pra, në harkun e një tremujori duket se një pjesë e atyre që e kishin thjesht si mendim, kaloi në veprime konkrete për t`u larguar nga vendi.

Të dhëna të tjera nga “Barometri Ekonomik Scan” tregojnë se, 62% e shqiptarëve janë të pakënaqur me nivelin e jetesës, 45% nuk përballojnë dot një dietë të rregullt me mish, 37% kanë problem në pagesën e faturave, 38% nuk përballojnë dot një makinë, 35% nuk mbajnë dot në nivelin e duhur temperaturën e shtëpisë, gati gjysma kanë pasur problem në pagesën e qirasë apo këstit të kredisë (mes atyre që kanë), 67% nuk përballojnë dot pushime vjetore 1 herë në vit, etj.

KLIKONI KETU PER RAPORTIN E PLOTE

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Kriza po “frenon” blerjet e mëdha/ Shqiptarët sprapsen nga investimet, por jo për pajisje shtëpiake

Postimi mëparshëm

Çmimet e konsumit, problemi kryesor i shqiptarëve/ Barometri Ekonomik Scan: Ndjekin taksat dhe papunësia, situata politike renditet e fundit

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.