Viti i pandemisë ka sjellë një rritje të debitorëve ndaj ujësjellës-kanalizimeve në Tiranë (UKT), tregojnë shifrat zyrtare nga Bashkia Tiranë. Sipas këtyre të dhënave, mesatarja mujore e numrit të debitorëve përgjatë 12 muajve të vitit 2020 ka qenë rreth 93 mijë individë/kontrata. Kemi të bëjmë me një rekord historik që prej vitit 2016 kur janë publike të dhënat, çka në terma ndryshimi, përkthehet në 11.3% rritje krahasuar me mesataren e 4 viteve paraardhëse, dhe me rreth 7.7% në terma vjetorë, pra krahasuar me vitin 2019. Kemi të bëjmë gjithashtu me një rekord absolut të 5 viteve të fundit. Sa i përket numrit total të kontratatave të lidhura me ujësjellës kanalizimet, fundi i 2020-ës, flet për nëj total prej rreth 254 mijë të tillash, në rritje mjaft të lehtë krahasuar me dhjetorin e vitit paraardhës.
Nga përpunimi i të dhënave mund të nxjerrim edhe numrin e debitorëve mbi totalin e përdoruesve të ujit si shërbim publik në kryqytet. Për vitin 2020, atë të pandemisë, përqindja e debitorëve mbi totalin është ngjitur në rreth 37% të totalit, nga rreth 34% që ishte vitin parardhës. Të dhënat i referohen mesatares së 12 muajve të vitit të kaluar, duke qenë se situate nuk ka qenë e njëjtë gjatë të gjithë muajve. Kjo shifër tregon se më shumë se 1/3 klientë të UKT në vendin tonë rezulton si debitor ndaj kompanisë, pra nuk e paguan në kohë detyrimin e tij ndaj kompanisë.
Po ndarja sipas enteve, pra familjar, privat, publik? 82% janë klientë famuiljarë, rreth 17% ente private, 0.7% janë institucionet dhe pjesa e mbetur janë klientë të shitjes me shumicë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments