Një ndër indikatorët më të rëndësishëm për të matur pandeminë, por sidomos për të matur impaktin e saj real në popullsi, është pikërisht ai i jetëve të humbura. Pikërisht ky indikator është kthyer vazhdimisht në objekt debati edhe në Shqipëri. Tirana është pikërisht qarku më i prekur, dhe shifrat flasin për një rritje të numrit të vdekjeve me 37% në këtë bashki, krahasuar me vitin paraardhës. Në total, Tirana si bashki numëron rreth 1571 vdekje më shumë se viti paraardhës. “Scan Intelligence Unit” ka bërë një analizë të thellë të të dhënave zyrtare, duke nxjerrë në pah disa shifra të rëndësishme sa i përket zonave të Tiranës që kanë pësuar edhe godijet më të mëdha në jetë njerëzish, me shumë gjasa, si pasojë e pandemisë. Shifrat zyrtare tregojnë vetëm numrin e vdekjeve, por jo arsyen. Por, rritja e ndjeshme sinjalizon se është efekt i Covid-19. Krahasimi është bërë si kundrejt mesatares së vdekjeve për njësi administrative për vitet 2010-2019, ashtu edhe krahasuar me vitin 2019. Kjo e fundit, pra krahasimi me vitin parardhës, duket se i jep nuanca më realiste këtyre shifrave, duke qenë se flukset migratore në Tiranë gjatë 10 viteve të fundit kanë qenë mjaft të larta, sidomos në njësitë e reja; Kashar, Dajt, Farkë. Gjithsesi, të dyja shifrat, si ndryshimi vjetor krahasuar me 2019, ashtu edhe ai me mesataren 2010-2019 nxjerr një panoramë të përafërt.
Cilat janë lagjet me rritjen më të madhe të vdekjeve?
Por, cilat janë lagjet e Tiranës që kanë humbur më shumë jetë njerëzore gjatë 2020-ës, krahasuar me vitet paraardhëse? Në vend të parë kemi njësinë Kashar, e njohur ndryshe si “Zona e Astirit”, apo e “Unazës së re”, me një rritje prej 55% të vdekjeve krahasuar me vitin paraardhës. “Scan Intelligence Unit” i ka kryqëzuar këto të dhëna edhe me ndryshimet e numrit të popullsisë për secilën njësi administrative, duke qenë se rritja mund të jetë edhe efekt i rritjes së flukseve. Pikërisht kjo njësi, e “Astirit”, regjistron edhe rritjen më të madhe të popullsisë mes të gjitha njësive të tjera në kryeqytet gjatë 2020-ës, me 9%. Duke qenë se është e pamundur të llogarisësh efektin e kësaj rritje në atë të vdekjeve, kësaj njësie duhet t`i zhveshim një pjesë të përqindjes së rritjes së vdekjeve nga 2019, në 2020, por pa ditur se sa. Duke qenë se diferenca me njësinë e dytë në listë, atë Nr.7 është me vetëm 1 pikë përqindje, atëherë mund të deduktojmë se është pkërisht kjo njësi, ose zona pranë “21 dhjetorit”, ajo që ka pësuar humbjet më të mëdha nga pandemia në jetë njërëzore, me një rritje prej 54% në terma vjetorë, dhe prej rreth 57% krahasuar me mesataren 2010-2019. Edhe në terma absolut, me 205 vdekje më shumë gjatë vitit të pandemisë, krahasuar me atë paraardhës, kjo njësi është në vend të parë, tregojnë shifrat zyrtare. Më pas ndjek njësia “Farkë”, por edhe në këtë rast, duhet të zhveshim efektin e flukseve migratore, si njësi e re, dhe si e dyta pas “Kasharit” me rritjen më të maxhe të popullsisë gjatë 2020-ës, prej 8%. Njësia Nr.10, e njohur ndryshe si zona pranë rrugës “M.Shyri” është e radhës në listën e lagjeve më të prekura nga pandemia në Tiranë, sipas jetëve të humbura, me një rritje prej 49% në terma vjetor. Lapraka, ose njësia Nr.6 vijon, me një rritje prej 45%. Në rastin e “Laprakës”, popullsia ka shënuar rënie krahasuar me vitin paraardhës.
Po lagjet më pak të prekura nga pandemia?
Po në kahun e kundërt të tabelës, pra lagjet me rritjen më të ulët të vdekjeve gjatë 2020-ës, ndër njësitë tradicionale dhe njësitë e reja, cilat janë? Në vend të fundit, si lagjia më pak e goditur nga pandemia, me një rritje prej “vetëm” 19% të vdekjeve në terma vjetor, rezulton të jetë njësia Nr.11, e njohur ndryshe si zona e “Laprakës”. Më pas, me një rritje prej 28% të numrit të vdekjeve, ndjek njësia Nr.1, ose zona e “Ali Demit”. Njësia Nr.5, ose e njohur ndryshe si “Tirana e Re”, e cila është edhe zona më e populluar e Tiranës, është e treta nga fundi sa i përket rritjes së numrit të vdekjeve, me 29%. Për të treja këto njësi, ndryshimi i popullsisë gjatë 2020-ës, rezulton në 0%.
Nuk ndikon mosha mesatare
“Scan Intelligence Unit” i ka kryqëzuar këto të dhëna edhe me moshën mesatare të secilës njësi përgjatë 2020-ës, duke qenë se fatalitetet nga Covid-19 janë më të larta në moshat e reja. Por, të dhënat nuk sinjalizojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes rritjes së numrit të vdekjeve dhe moshës mesatare për secilën njësi. Përjashtimi i vetëm duket të jetë “Lapraka”, si një ndër lagjet me moshën mesatare më të ulët dhe njëkohësisht ajo me rritjen më të ulët të vdekjeve mes lagjeve tradicionale të Tiranës. Nga ana tjetër, Njësia Nr.6, “Kombinati” është ajo me moshën mestare më të ulët në Tiranën tradicionale, dhe ndërkohë është në krye të lsutës sa i përket rritjes së vdekjeve nga pandemia.
Për njësitë rurale, pandemia më “tinëzare”, deri në 91% më shumë vdekje
Por si duket situata mes ish-komunave, të cilat sot janë njësi administrative të Bashkisë Tiranë? Duket se për këto zona kryesisht rurale, pandemia është treguar më “tinëzare”. Për njësinë Krrabë, rritja e vdekjeve në terma vjetorë fiksohet në mbi 90%, ndërsa për atë “Shëngjergj” dhe “Zall Herr” pranë 80%. Këto norma janë njeshëm të larta se mesatarja e njësive tradicionale të kryeqytetit. Nësia e “Petrelës” dhe ajo “Zall Bastarit” janë të vetmet njësi të Tiranës së madhe që regjistrojnë rënie të numrit të vdekjeve. Për ish-komunat ndryshimet e popullsisë kanë qenë thuajse zero gjatë 2020-ës, sinjalizojnë shifrat zyrtare.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments