Taksat janë burimi kryesor i të ardhurave të një shteti, që shkojnë për mbarëvajtjen e administratës si dhe për shpenzime kapitale, pra investime. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat e të ardhurave tatimore, për të kuptuar se sa taksa paguan në një muaj një shqiptar mesatar. Nga llogaritja janë “zhveshur” taksat e bizneseve, si dhe përqindja që zë punëdhënësi në pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, pra janë përllogaritur të gjitha taksat që një shqiptar mesatar, i punësuar ose jo, pra jo sipërmarrës, i paguan shtetit shqiptar në një muaj. Nga kjo llogaritje, rezulton se në total janë 29.94 mld lekë taksa që shqiptarët paguajnë në muaj ndaj shtetit shqiptar për: tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe të tjera, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ( vetëm pjesa e punëmarrësit ) dhe taksat vendore. Kjo shumë përkthehet në 245 milionë euro në muaj, e cila e përkthyer për banor fiksohet në 86.5 euro për frymë. Kaq është shuma që çdo shqiptar, i paguan mesatarisht shtetit shqiptar në muaj. Llogaritja është bërë për këdo, pra qofshin minorenë, të papunë apo pensionistë, pasi të gjithë konsumojnë, ose paguajnë taksa, direkt ose indirekt. Analiza është bërë mbi të dhënat e muajit shtator të këtij viti.
Me një pagë mesatare neto prej 377 eurosh në vendin tonë, sipas shifrave më të fundit publike, shifra prej 86.5 euro taksa për frymë, do të thotë se për një shqiptar mesatar, 23% e pagës shkon si kontribut për shtetin.
Por, a kthehen mbrapsht këto taksa? Nga analiza e të dhënave të shtatorit të këtij viti, rezulton se investimet, pra shpenzimet kapitale, në muaj për qeverinë shqiptare fiksohen në rreth 10.6 mld lekë, ose 87 milionë euro. Për çdo banor të republikës, qeveria shqiptare investon 30.7 euro çdo muaj. Rreth 16.6 euro për frymë janë shpenzimet vetëm për pagat e administrates, 12.3 euro për frymë janë shpenzimet për rindërtimin dhe rreth 8.6 euro për person interesat e borxhit të shtetit shqiptar. Rreth 9.5 euro për frymë ndërkohë janë shpenzimet operative të mirëmbajtjes së administratës dhe çdo hallke që ka lidhje me të. Të 5-ta këto zëra së bashku bëjnë një shumë prej rreth 78 eurosh në muaj. Në total, të gjitha shpenzimet e qeverisë shqiptare në muaj, referuar muajit të fundit në dispozicion, shtatorit, flasin për rreth 46 mld lekë, ose rreth 381 milionë euro, e thënë ndryshe, 134 euro për frymë.
Po biznesi, sa taksa paguan në një muaj? Sipas përllogaritjeve të “Scan Intelligence Unit” bëhet fjalë për një total prej rreth 10.7 miliardë lekësh, ose rreth 88.1 milionë euro. Në këtë shifër janë përfshirë edhe pagesat për kontributet shoqërore dhe shëndetësore të cilat i takojnë punëdhënësit. Në Shqipëri janë aktive rreth 166 mijë biznese, çka do të thotë se mesatarisht secili prej tyre i paguan shtetit në muaj rreth 529 euro. Duhet patur parasysh se taksimi për bizneset varion, me biznesin e vogël që nuk paguan njësoj taksa bizneset e mesme dhe të mëdha, të cilat mbajnë barrën kryesore. Por, gjithsesi, shifra i referohet një mesatare, për të pasur një ide më të saktë, të rolit të biznesit në buxhetin e shtetit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments