Ekonomi

Lista e projekteve të qeverisë për 2022/ Tuneli i Llogarasë, Rruga e Arbrit, Teatri Kombëtar, Unaza e Tiranës, me impaktin më të madh në buxhet

0

Projekt-buxheti i vitit të ardhshëm i hartuar nga qeveria shqiptare përmban edhe listën e të gjitha investimeve publike me financim të brendshëm, sipas viteve, të detajuar. “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar dhe analizuar të dhënat, nga të cilat rezulton se vitin e ardhshëm investimet publike me financim të brendshëm në total do të prekin vlerën e 61.1 miliardë lekëve, ose rreth 500 milionë euro. Në total janë 822 investime publike me financim të brendshëm të planifikuara apo në vazhdim. Nga analiza e të dhënave le të shohim projektet konkrete me më shumë peshë në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, ku në krye të listës gjejmë ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, i cili ka një kosto totale prej 19 mld lekësh, nga të cilat rreth 4.7 mld lekë do të paguhen vitin e ardhshëm, çka e përkthyer në valutë do të thotë rreth 39 milionë euro. Lista vijon me një tjetër projekt të madh konkret, atë të “Kontratës së Koncesionit /PPP për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit”, me një peshë buxhetore prej 2.9 miliardë lekësh vetëm në vitin fiskal 2022, ose rreth 24 milionë euro. Unaza e re e Tiranës mbyll listën e 3 investime publike konkrete me financim të brendshëm që do t`i peshojnë më shumë buxhetit të shtetit vitin e ardhshëm, me rreth 1.7 mld lekë, ose rreth 14 milionë euro.

Por, nga kjo shumë, jo të gjitha projektet janë të reja. Më saktësisht, janë 154 projekte të reja si investim publik të cilat pritet të peshojnë që vitin e ardhshëm në buxhetin e shtetit, për një vlerë totale prej 8.59 miliardë lekësh, ose rreth 70 milionë euro. Por cili investim publik do të peshojë më shumë mbi buxhetin e shtetit vitin e ardhshëm? Me një vlerë prej rreth 1.2 miliardë lekësh, ose rreth 10 milionë euro, listën e kryeson projekti për investime në sisteme dhe infrastrukturë për forcat ajrore, të repartit ushtarak 3001 në Tiranë. Në vend të dytë me vlerën nominale më të lartë ndjek ai për godinën e Teatrit Kombëtar. Prej rreth 900 milionë lekësh për vitin 2022, ose rreth 7.3 milionë euro. Projekti i godinës së Teatrit Kombëtar ka një vlerë totale prej 4.8 miliardë lekësh, ose rreth 40 milionë euro, dhe do të peshojë në buxhet deri në vitin 2024. Viti 2023 do të ketë edhe barrën më të lartë buxhetore për këtë investim, prej 1.5 miliardë lekësh, ose rreth 12 milionë euro. Në vend të tretë ndjekin disa projekte të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, por që do të nisin vetëm në vitin 2023. Në listë më pas vijon ndërtimi i godinës së re të Akadameisë së Forcave të Armatosura, me një vlerë totale prej 1 mld lekësh, si dhe me një kosto në buxhetin e vitit të ardhshëm prej 500 milionë lekësh. Në listën e investimeve publike me financim të brendshëm për vitin e ardhshëm shohim edhe atë të “Ndertimit të Qendres Kulturore per Femijë dhe Teatrin e Kukullave”, me një vlerë totale prej 1 miliard lekësh.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shqiptarët, më të “ndriçuar” se europianët, – Vetëm 4.6% e shtëpive pa dritë të mjaftueshme, norma ngjitet në 5.9% në BE

Postimi mëparshëm

Azilkërkuesit shqiptarë “pushtojnë” Europën, – Rikthehen nivelet e para pandemisë, jemi të 4-tit në BE, pas turqve, afganëve dhe sirianëve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.