Financë

TVSH e brendshme “ngel në klasë” tatimet, – Rënie me 5.7% e arkëtimeve krahasuar me 2020-ën dhe 107 mln euro më pak se plani

0

Projekt-buxheti për vitin e ardhshëm dhe relacioni shoqërues i ligjit më të rëndësishëm vjetor të shtetit, veç asaj që pritet të ndodhë vitin e ardhshëm, përfshin edhe perfromancën fiskale të qeverisë për vitin aktual. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar me hollësi këto shifra, dhe ajo që bie në sy është arkëtimi i TVSH neto brenda vendit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë në projekt-buxhet për këtë zë, por edhe zërat e tjerë të të ardhurave të qeverisë, përfshin edhe pritshmëritë e saj për vitin, duke qenë se viti aktual nuk është mbyllur ende.

Shifrat tregojnë se arkëtimi i TVSH neto brenda vendit pritet të jetë në vetëm 28.27 miliardë lekë këtë vit, nga 41.31 miliardë lekë që ishte plani i qeverisë në buxhetin e vitit aktual. Rënia dhe mosrealizimi janë drastik, në masën -31.27%, pra në thuaje 1/3, ose me rreth 13 miliardë lekë, çka e përkhtyer në valutë fiksohet në rreth 106.8 milionë euro. Por, rënia nuk vihet re vetëm me planin e këtij viti, por edhe me faktin e vitit të kaluar. Arkëtimi i TVSH neto brenda vendit këtë vit është në rënie krahasuar edhe me vitin e kaluar, atë të pandemisë dhe karantinës. Një vit më parë, arkëtimi i TVSH-së brenda vendit fiksohej në 29.87 miliardë lekë, pra 5.7% më shumë se pritshmëritë për vitin aktual, nga vetë qeveria shqiptare, ose rreth 13.1 milionë euro më shumë. Por si ka mundësi që arkëtimi nga TVSH brenda vendit neto ka rënë krahasuar me planin me 31%, dhe mbi të gjitha, si ka mundësi që ky zë regjistrohet në rënie edhe krahasuar me vitin e kaluar, atë pandemisë dhe bllokimit të zinxhirit të ekonomisë? Arsyeja kryesore është rritja e ndjeshme e rimbursimit të TVSH krahasuar me planin vjetor, me 7.3 mld lekë më shumë, gjë që ka ardhur nga shlyerja e detyrimeve për rimbsurimin e TVSH ndaj një prej tatimpaguesve më të mëdhenj në vend, Bankers Petroleum. Por, kjo nuk e justifikon të plotë mosrealizimin, pasi mbeten sërish rreth 5 mld lekë minus. Janë edhe dy elementë të tjerë që mund ta justifikojnë diçka të tillë; rënia e ndjeshme e konsumit, si dhe rritja e informalitetit në ekonomi. Është e pamundur të ndash se cili nga këto dy elementë ka dhënë kontributin më të madh, por padiskutim që ngrihen shumë pikëpyetje, duke qenë se ky vit ka regjistruar një rritje të ndjeshme të aktivitetit ekonomik krahasuar me një vit më parë, dhe sidomos të turistëve të huaj që kanë vizituar vendin.

TVSH neto brenda vendit është i vetmi zë tatimor që rezulton në rënie, si krahasuar me planin e këtij viti, ashtu krahasuar edhe me faktin e vitit të kaluar. Kjo gjë ka bërë që këtë vit, sipas pritshmërive, të ardhurat tatimore të jenë 5.77% më të ulta se plani vjetor.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

7 koncesionet e planifikuara për 2022-shin/ “Kolaudimi” do t`i rikthehet privatit, do firmoset “Milot-Fier”, edhe siguria rrugore dhe lagjet e Elbasanit me koncesion

Postimi mëparshëm

Më shumë pasagjerë dhe mallra gjatë Shtatorit, – Rreth 1 mln pasagjerë më shumë në Janar-Shtator, krahasuar një vit më parë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.