Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave bëjnë me dije se transporti të pasagjerëve, është rritur ndjeshëm si në rrugë detare po ashtu edhe në rrugë ajrore e hekurudhore, krahasuar me një vit më parë. 132 181 është numri i pasagjerëve gjithsej i regjistruar gjatë prillit të këtij viti, ku nga këto pasagjerë, 101.354 kanë udhëtuar në rrugë ajrore, 30.413 në rrugë detare dhe 414 me hekurudhë. Transporti i pasagjerëve në rrugë ajrore dominon duke u rritur kështu me gati 25,4 herë po ta krahasojmë me prillin e vitit 2020 dhe duke zënë 76,7% të transportit gjithsej. Megjithatë kemi një ulje të ndjeshme krahasuar me vitin 2019, ku shifrat sinjalizojnë se numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është ulur me 59%, ai me linjë ajrore me 57% dhe në linjë hekurudhore është ulur me 93%. Krahasuar me një muaj më parë, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linjë ajrore ka pësuar rrritje. Në mars regjistroheshin 82 872 pasagjerë në linjë ajrore, një rritje kështu këtë muaj me gati 22.3%. Nëse do të flisnim për tremujorin e parë të vitit 2021, numri i pasagjerëve rezulton më i ulët se gjatë katërmujorit të parë të vitit të kaluar, si në rrugë detare ashtu edhe në rrugë ajrore. Vetëm transporti i pasagjerëve me hekurudhë ka pësuar rritje krahasuar me vitin 2020.
Volumi i mallrave në rrugë detare, të ngarkuara dhe shkarkuara në porte, në muajin prill të vitit 2021 është 451,6 mijë ton, duke u rritur 27,7% krahasuar me prillin e vitit 2020. Të dhënat tregojnë se transporti detar dominon krahasuar me llojet e tjera të transportit. Në muajin Prill 2021, volumi i mallrave të transportuara me ajër është 161 ton, duke u rritur 2 herë, ndërsa volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 2.333 mijë ton-kilometër, duke u rritur 3,1 herë, krahasuar me të njejtin muaj të një viti më parë. Sipas informacionit të publikuar nga INSTAT po të flasim në terma katërmujorë volumi i mallrave shënon një rritje me 18,1%, krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2020.
Sa i përket importit dhe eksportit të mallrave vendi ynë ka hasur një rritje të përgjithshme të tyre në të gjitha llojet e transportit kryesisht atij detar dhe rrugor. Vlera totale e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) është 91,6 mld lekë dhe 46,8% e tyre janë transportuar në rrugë detare.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments