Të dhënat më të fundit të “Institutit të Statistikave” referuar shifrave të transportit tregojnë se në muajin Tetor të këtij viti shihet një rritje e numrit të fluturimeve me 74.3% krahasuar me Tetorin e një viti më parë. Po si paraqitet ky tregues krahasuar me Tetorin e vitit 2019, pra nivelet para pandemisë? Të dhënat tregojnë se numri i fluturimeve për Tetorin e këtij viti, i ka tejkaluar shifrat e tetorit të vitit 2019. Rritja regjistrohet deri në 11.2%.
Sa i përket transportit të pasagjerëve, sipas të dhënave është rritur numri i pasagjereve si në rrugë detare dhe ajrore po ashtu edhe në rrugë hekurudhore, për muajin Tetor 2021, krahasuar me tetorin e vitit 2020. Ndërsa, krahasuar me Tetorin e vitit 2019, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar në linjë detare ka pësuar rënie, por ka pësuar rritje numri i atyre që kanë udhëtuar në linjë ajrore. Gjatë Tetorit të këtij viti, transporti ajror i pasagjerëve zë 85,7 % të transportit gjithsej dhe numri i pasagjereve që kanë udhëtuar nëpërmjet ajrit është rritur me 2.7 herë, krahasuar me vitin 2020 dhe regjistrohet në rreth 290 mijë. Nga ana tjetër, në Tetor 2021, numri i pasagjerëve që udhëtuan me linjë detare është 47.987 pasagjerë dhe krahasuar me Tetorin e vitit 2020 ky tregues është rritur 67,9%.
Le t’i analizojmë këto shifra përgjatë dhjetë muajve , pra në periudhën Janar-Tetor, sa i përket numrit të fluturimeve dhe gjithashtu numrit të pasagjerëve. Në dhjetëmujorin e këtij viti, është rritur numri i fluturimeve, krahasuar me vitin 2020, por ka rënë krahasuar me vitin 2019. Në dhjetëmujorin e vitit 2021, pasagjerët në linjë ajërore janë rritur me 2,1 herë, krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë, por ka rënë me 14.5%, krahasuar me vitin 2019. Sa i përket pasagjerëve që kanë udhëtuar në linjë detare, përgjatë dhjetë muajve, është rritur numri me 2.4 herë, krahasuar me vitin 2020 dhe ka pësuar ulje me 46.5%, krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2019.
Referuar po këtyre të dhënave shohim se gjatë muajit Tetor të vitit 2021 është rritur volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet ajrit, dhe gjithashtu është rritur edhe volumi i mallrave të transportuara në rruge detare, por nga ana tjetër, krahasuar me një vit më parë është ulur volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë. Rritja e volumit të mallrave të ngarkuara apo shkarkuara në porte, shënohet 3.6%, duke arritur në 413.7 mijë ton. Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 1 474 ton për kilometër, duke rënë me 36.4%, krahasuar me muajin Tetor të vitit 2020. Rritje ka shënuar dhe transporti më rrugë ajrore me rreth 16,7%, e cila është dhe rritja më e madhe. Në terma dhjetëmujorë, kemi një rritje të përgjithshme të të gjithë treguesve, krahasuar me vitin 2020, por një rënie nëse do ta krahasonim më vitim 2019. Megjithatë, volumi i mallrave të ngarkuara, apo shkarkuara në porte është rritur me 8.3 herë gjatë dhjetëmujorit të vitit 2021, krahasuar me dhjetëmujorin e vitit 2019.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments