Regjistri i ndërmarrjeve i publikuar së fundmi nga Instituti i Statistikave jep të dhëna mjaft interesante mbi ndërmarrjet në vendin tonë për vitin 2020. “Scan Intelligence Unit” ka bërë një vrojtim të të dhënave duke u ndalur të shoqëritë aksionere, numrin e tyre se dhe sa të tilla të reja janë hapur. Për të parë ndryshimin ndër vite si dhe për të matur ndikimin e pandemisë, “Scan Intelligence Unit” e ka analizuar këtë tregues që nga vitit 2010 deri në vitin 2020.
Nga të dhënat e paraqitura dhe në mënyrë grafike shohim se numri i Shoqërive Aksionere ka prekur minimumin e tij gjatë vitit 2020. Ky numër është më i vogli që nga viti 2010. 558 Shoqëri Aksionere regjistrohen në total gjatë vitit 2020. Në terma vjetorë ky tregues ka rënë me 29,4%, pasi gjatë vitit 2019 në vendin tonë numëroheshin 791 të tilla. Duhet marrë parasysh se kjo mund të jetë ndikuar nga dekjurajimi prej pandemisë për të hapur organizata të reja, por gjithashtu dhe nga mbyllja e atyre ekzistuese.
Minimum historik gjithashtu ka prekur dhe numri i Shoqërive të reja të hapura për vitin 2020. Ndër dhjetë vitet e fundit, viti 2020 regjistron numrin më të vogël të shoqërive të krijuara. 23 është numri i tyre për vitin që lamë pas ndërkohë që në vitin 2019 regjistroheshin 34 shoqëri aksionere të reja të hapura. Nga të dhënat numrin më të lartë e mban viti 2011 me 88 të tilla.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments