Studime

Shifrat zyrtare të 25 prillit. Pjesëmarrja në 46.2%, më e ulta në histori. PD dhe PS zmadhojnë pjesën e “tortës”

0

Me mbylljen e numërimit të të gjitha kutive të votimit për subjektet politike, panorama e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill është tashmë thuajse e plotë, me përjashtim të emrave të 140 deputetëve për 4 vitet e ardhshme. Por, duket se një nga “mitet” më të mëdha të ditës së zgjedhjeve ka rënë, ai i pjesëmarrjes. Totali i votave në rang republike për secilin subjekt garues, përfshirë edhe të pavarurit, si edhe votat e pavflefshme, flet për 1,661,187 vota të hedhura në kutitë e votimit të dielën e 25 prillit. Kjo shifër përkthehet në një përqnidje pjesëmarrje prej 46.28%. Kjo pjesëmarrje është jo vetëm më e ulët se viti paraardhës, por edhe më e ulta në historinë pluraliste të Shqipërisë, që prej vitit 1991. Në total, votuesit që e kanë ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e këtij viti kanë qenë rreth 47 mijë më shumë në terma absolut krahasuar me vitin paraardhës. Kjo rritje nuk është përkthyer në pjesëmarrje më të lartë pasi këtë vit në lista ka pasur më shumë se 100 mijë zgjedhës më shumë, me të drejtë vote. Pjesëmarrja më e ulët në historinë pluraliste të Shqipërisë mund të shpjegohet me të paktën dy faktorë kyç, objektiv, pra pa hyrë në llogaritje politike; emigrantët dhe covid-19. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë, emigrantët votues, të cilët janë më shumë se 1 milionë në total, kanë pasur shumë herë më pak shanse për të votuar, për dy arsye të thjeshta; masat anti-covid, veçanërisht në vendet ku ata janë rezidentë, por sidomos fakti që zgjedhjet u mbajtën në muajin prill, dhe jo në qershor, si zakonisht, kur prezenca e tyre në territorin e vendit tonë është ndjeshëm më e lartë, për shkak të stinës së verës. Një tjetër faktor përcaktues në këtë pjesëmarrje të ulët në votime mund të ketë qenë edhe covid-19, pra frika për mundësinë e infektimit, por edhe privimi i mbi 20 mijë të infektuarve nga e drejta e votës, paçka se nuk ka informacion të saktë se sa prej 23 mijë të të infekturave me covid-19 ditën e dielë të 25 prillit, ishin me të drejtë vote.

Duke i hyrë një analize më politike të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit, vëmë re edhe një fenomen tjetër, atë të polarizimit të mëtejshëm të skenës politike, me përqëndrimin më të madh të viotave dhe të mandateve në Kuvendin e Shqipërisë drejt dy partive më të mëdha. Në vitin 2013, votat jashtë Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike ishin rreth 482 mijë ( ku përfshihet edhe Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe të gjitha partitë e tjera garuese). Në 2017 kjo shifër zbriti në 361 mijë të tilla, dhe në 2021 në vetëm 187 mijë vota. Rënia është prej rreth 300 mijë votash. Në vitin 2013, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste merrnin 72% të votës popullore në rang kombëtar, në 2017-ën, 77%, ndërsa në 2021-shin, kjo normë ngjitet në plot 88%. Pikërisht kjo normë sinjalizon ndoshta një tranzicion drejt një sistemi “dypartiak”.Kjo shifër është rrjedhojë e drejpërdrejtë e dy faktorëve objektiv, pa i hyrë një analize më të thellë politike të orientimit të votës; rënies së Lëvizjes Socialiste për Integrim me mbi 100 mijë vota në rang kombëtar, si dhe përfshirjen e partive aleate të Partisë Demokratike nën siglën e kësaj të fundit, në të njëjtën listë.

Po mbështetja ndaj 4 partive parlamentare të dala nga zgjedhjet e 25 prillit si ka ndryshuar këto 8 vite? Vihet re se krahasuar me vitin 2017, Partia Socialiste ka rritur me rreth 3400 vota mbështetjen në rang kombëtar, ndërsa ajo demokratike me rreth 165 mijë vota. Lëvizja Socialiste për Ingerim ka humbur rreth 118 mijë vota. Krahasuar me vitin 2013 ndërkohë, PS ka rritur mbështetjen popullore me rreth 55 mijë vota, ndërsa ajo demokratike me rreth 93 mijë. Por në këtë rast, duhet të kemi parasysh sërish përfshirjen e aleatëve në të njëjtën listë me Partinë Demokratike. Madje, krahasuar me vitin 2013 Partia Demokratike sot, ka edhe parti të tjera në koalicion, si ajo e Bashkimit të të Drejtave Të Njeriut (PBDNJ). Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2013, PBDNJ, PDIU dhe PR së bashku gëzonin në total, rreth 111 mijë vota, pra më shumë se rritja e Partisë Demokratike në harkun e 8 viteve.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Statistikat e transportit, rritet volumi i mallrave të transportuara

Postimi mëparshëm

Huaja e re, rekord historik në Mars! Arrin në 22.3 mld lekë, rekord edhe ajo për blerje shtëpie

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.