“Scan Intelligence Unit” përpos numrit të biznesmenëve sipas qarqeve, apo dhe ndryshimit vjetor të numrit të bizneseve në Tiranë përgjatë vitit 2021, këtë herë ka analizuar shpërndarjen e bizneseve sipas gjinisë së pronarit. Të dhënat tregojnë se gjatë harkut kohor 2019-2020, në rang kombëtar, gratë kanë menaxhuar 25.5% të ndërmarrjeve aktive gjithsej. Qarku i Tiranës regjistron përqindjen më të lartë, me 32.8%. Kryeqyteti ndiqet nga qarku i Lezhës me një përqindje, prej 28.5% dhe qarku i Durrësit, me 27.5%. Qarku i Beratit është qarku që ka regjistruar përqindjen më të ulët të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë, me 17.3%. Po ashtu, qarku i Fierit regjistron një përqindje të ulët, me 17.8%.
Nëse do të karahasonim rritjen e ndërmarrjve të drejtuara nga gratë me ato të drejtuara nga burrat, dalin në pah shifra mjaft intersante. Për qarkun e Tiranës, gjatë vitit 2020, rritja e ndërmarrjeve me administratore femra është më e lartë se rritja e ndërmarrjeve me adminstratorë burra. Për këtë qark kjo rritje në terma absolute, për ndërmarrjet me administratore femra, regjistrohet në 413, ndërsa për ndërmarrjet që drejtohen nga burrat rritja është 256 në 2020-ën. I njëjti ndryshim vërehet dhe në qarqe si Korça dhe Shkodra. Diferenca për qarkun e Shkodrës është se numri i ndërmarrjeve aktive me adminstratorë burra ka rënë me 40 ndërmarrje, ndërsa numri i bizneseve që drejtohen nga femrat është rritur me 46 të tilla.
“Scan Intelligence Unit” ka analizuar veç të tjerave dhe sa përqind zë seclili qark në numrin e përgjithshëm të ndërmarrjeve të drejtuara nga femrat në rang kombëtar. Qarku i Tiranës, zë 10.7% të ndërmarjeve gjithsej të drejtuara nga femrat për vitin 2020. Pas qarkut të Tiranës renditet qarku i Fierit, me 2.5% dhe ai i Durrësit, me 2.1%. Përqindjen më të ulët e zë qarku i Kukësit, me 0.2% të bizneseve me drejtuese femra gjithsej, pasuar nga qarku i Dibrës, me 0.4%.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments