Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë sa i përket instrumentave të pagesave tregojnë se numri i transaksioneve nëpër terminalet POS gjatë gushtit ka rënë krahasuar me korrikun, pranë 656 mijë, nga rreth 668 mijë që ishin në korrik. Rënia fiksohet kështu në 1.73% në terma mujorë. Ky indikator vlerësohet si ndër më të rëndësishmit në tranzicionin drejt parasë elektronike. Përdorimi i gjerë i parasë fizike në ekonominë shqiptare, sipas vetë Bankës së Shqipërisë, i kushton ekonomisë rreth 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit. Rënia nuk regjistrohet vetëm në numër transaksionesh, por edhe në vlerë. Kështu, gjatë gushtit vlera e transaksioneve në pagesat nëpërmjet terminaleve POS është regjistruar gjithashtu në rënie, me 3.25%. Madje, kjo rënie është më e madhe se ajo në numër transaksionesh.
Madje, shifrat janë në rënie pavarësisht se bëhet fjalë për muajin gusht, kur zakonisht flukset e larta të turistëve rrisin ndjeshëm përdorimin e pagesave nëpërmjet terminaleve POS. Por, shifrat e tjera sinjalizojnë se kjo rënie e këtij treguesi gjatë gushtit nuk lidhet domosdoshmërisht me mospreferencën e parasë elektronike si mjet pagese, pasi në rënie regjistrohen edhe tërheqjet e parasë fizike nëpër pikat ATM, si në numër transaksionesh, ashtu edhe në vlerë. Në numër transaksionesh rënia fiksohet në 7.89%, ndërsa në vlerë në 3.46%. Të dy këta tregues sinjalizojnë se, gjatë gushtit, përdorimi i parasë ka rënë krahasuar me korrikun, të paktën sa i përket parasë së kanalizuar në sektorin bankar. Vetëm pak ditë më parë, të tjera të dhëna nga Banka e Shqipërisë sinjalizonin se rritja e parasë jashtë sistemit bankar ka vijuar me ritme të larta edhe gjatë gushtit. Madje, gjatë pandemisë, rritja mesatare e këtij treguesi ka qenë dy herë më e lartë se periudha para pandemisë.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments