Financë

Huaja e re, rekord gjatë 2021-shit! Arriti në gati 2.2 mld euro, sa 15% e PBB. Për blerje banese u rrit me 51%

0

Huaja e re gjatë dhjetorit të vitit që sapo lamë pas ka prekur nivelin e 41.2 mld lekëve, që është edhe vlera më e lartë mujore e regjistruar përgjatë të gjithë vitit të kaluar. Gjithsesi, duhet saktësuar se dhjetori karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e kreditimit për ekonominë. Krahasuar me dhjetorin e vititi 2020 ndërkohë, vihet re një rënie mjaft e lehtë, por me vlera të përafërta. Asokohe, huaja e re fiksohej në reth 42 miliardë lekë. Në total, përgjatë të gjithë vitit të kaluar, sektori bankar ka dhënë rreth 264.5 miliardë lekë kredi, që përkthehet në rreth 2.2 miliardë euro, ose rreth 15% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Gjatë vitit pararendës ndërkohë, huaja e re në total fiksohej në rreth 245 mld lekë. Pra, rritja vjetore fiksohet në rreth 7.4%. Ndër të tjera, shifra prej 264 mld lekësh kredi të re gjatë 2021-shit, rezulton të jetë më e larta që prej vitit 2017, kur fiksohej në rreth 268 miliardë lekë, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intelligence Unit”.

Sa i përket kreditimit ndaj sektorit privat, vihet re një situatë e ngjashme, me huanë e re që ka prekur vlerën më të lartë të vitit në dhjetor të 2021-shit, pranë rreth 26 miliardë lekëve, por në rënie krahasuar me dhjetorin e vitit pararendës, kur fiksohej në rreth 34 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, po të shohim huanë e re për individët vëmë re se gjatë dhjetorit ka prekur vlerën e rreth 8 miliardë lekëve, që është vlera e dytë më e lartë e regjistruar që prej dhjetorit të vitit 2015, kur edhe shifrat janë publike nga Banka e Shqipërisë. Vetëm qershori i vitit të kaluar regjistron një shifër më të lartë sa i përket huasë së re për individët, me rreth 8.6 mld lekë.

Sa i përket huasë së re për individët për blerje banese, shifrat tregojnë se, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, shifra fiksohej në rreth 4.3 mld lekë, si në euro ashtu edhe në lek, që gjithashtu është shifra e dytë më e lartë e regjistriar, me qershorin e vitit të kaluar që mban rekordin, me rreth 4.7 mld lekë hua të re. Gjithsesi, shifra e dhjetorit regjistrohet në rritje të ndjeshme si në terma mujorë ashtu edhe në terma vjetorë, sinjalizojnë shifrat në këtë drejtim. Në total, gjkatë të gjithë vitit të kaluar, sektori bankar i ka dhënë individëve rreth 39.7 mld lekë kredi për blerje banese, ose e përkthyer në valutë, rreth 326 milionë euro. Kjo vlerë zë rreth 15% të totalit të kredisë së lëshuar nga sektori bankar ndaj individëve gjatë të gjithë vitit të kaluar. Në vitin 2020 ndërkohë, kjo normë fikoshej në vetëm 10.7%. Vlera prej 39.7 mld lekësh kredi të re për blerje banese gjatë vitit 2021 është jo vetëm më e larta e regjistruar ndonjëherë, por në rritje të ndjeshme krahasuar me vitet paraardhëse. Gjatë 2020-ës, kjo shifër fiksohej në rreth 26.3 miliardë lekë, çka do të thotë se rritja vjetore fiksohet në plot 51% gjatë 2021-shit.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pronaret femra sipas qarqeve/ Në Tiranë, Korçë, dhe Shkodër në 2020-ën bizneset e drejtuara nga gratë u rritën më shumë se ato nga burrat

Postimi mëparshëm

Depozitat bankare u “frynë” me 861 mln euro/ Në 2021-shin, rritja më e madhe në 10 vite, valuta “dominon” lekun

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.