Mirëqenia, të paktën në nivel të ardhurash është padiskutim e përqëndruar në Tiranë, por nga një analizë e pagës mesatare bruto sipas qarqeve (drejtorive tatimore rajonale më saktësisht), bien në sy edhe disa qarqe të tjera surprizë. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar pagat pikërisht sipas qarqeve, ku përfshihet edhe Saranda si drejtori tatimore rajonale. Të dhënat i referohen muajit prill të vitit të kaluar, pra të dhënave të rrjedhura pak kohë më parë mbi pagat e shqiptarëve. Në këtë analizë do të shohim jo vetëm pagën mesatare sipas qarqeve, por edhe lidhjen që paga ka me peshën specifike të secilit qark në strukturën e PBB-së së vendit, apo edhe lidhjen me peshën e pagës minimale.
Tirana është e para në renditje, me një pagë mesatare bruto pranë 57.338 lekëve. Por, surprizë janë dy vendet që ndjekin. Dibra vjen fill pas Tiranës, me një pagë mesatare bruto pranë rreth 53.778 lekësh, ndërkohë që Kukësi mban vendin e tretë me rreth 53.694 lekë pagë mujore bruto mesatarisht. Elbasani dhe Gjirokastra ndërkohë mbyllin 5 vendet e para të listës. Por edhe dy vendet e fundit në këtë renditje vijnë suprizë. Me një pagë mesatare bruto mujore prej rreth 47 mijë lekësh, Fieri mban vendin e parafundit, ndërkohë që Durrësi është në vend të fundit, me rreth 46 mijë lekë pagë mujore mesatarisht. Këto dy qarqe, paradoksalisht, mbajnë vendin e dytë dhe të tretë pas Tiranës, sa i përket peshës së tyre në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, referuar të dhënave të fundit në dispozicion, atyre të vitit 2019. Më saktësisht, Durrësi përfaqëson rreth 10.18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, ndërsa Fieri 11.07%. Nga krahu tjetër, Dibra që është në vend të dytë sa i përket pagës mesatare bruto, është qarku i tretë nga fundi sa i përket peshës në strukturën e PBB, ndërsa Kukësi që mban vendin e tretë sa i përket pagës mesatare është i fundit në drejtim të peshës ndaj PBB-së, me vetëm 1.61%. Korrelacioni mes pagës mesatare bruto dhe peshës së qarkut në PBB e vendit nxjerr në pah të dhëna të tjera interesante edhe për qarqe të tjera, ku në sy bie fakti se vetëm Tirana dhe Shkodra duket të kenë një përputhshmëri mes dy indikatorëve.
Të dhënat e pagës mesatare bruto nxjerrin gjithashtu në pah një tjetër problematikë; informalitetin e lartë në paga. Në rast se shohim peshën e atyre që marrin një pagë minimale (30 mijë lekë), mbi totalin, ka një diferencë të madhe nga qarku në qark. Qarku me peshën më të madhe të atyre që marrin një pagë minimale mbi totalin është Shkodra, me rreth 43%. Edhe Sarandën e shohim në të njëjtat nivele, por duke e marrë si një qark të vetëm me Vlorën, norma zbret pranë rreth 41%. Durrësi, Fieri dhe Lezha ndjekin në renditje, me një peshë mes 40-41%. Nga krahu i kundërt i tabelës ndërkohë, pra si qarqet me peshën më të ulët të atyre që marrin një pagë minimale mbi totalin, gjëjmë Kukësin, me rreth 26% dhe Dibrën me vetëm 23%. Informaliteti në paga është një problematikë e kahershme, e cila doli sërish në pah me publikimin e të dhënave mbi pagat.
Një përqindje e lartë e atyre që marrin një pagë minimale, sinjalizon, paçka se jo domosdoshmërisht, por në mënyrë indirekte, një informalitet më të lartë. Aty ky pesha e pagës minimale është më e ulët, atehërë edhe informaliteti është më i ulët, dhe për rrjedhojë, shifrat e pagës mesatare bruto janë më të përafërta me realitetin. Qarqe si Durrësi apo Fieri duket të kenë një problem të lartë me informalitetin po të kemi parasysh këta indikatorë, pra përqindjen e lartë të atyre që marrin një pagë minimale, pagën mesatare mjaft të ulët krahasuar me qarqet e tjera, si dhe korrelacionin mes këtyre treguesve dhe atij të peshës së këtyre qarqeve në ekonominë e vendit.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments