Financë

Cilat biznese po marrin më shumë kredi? Shifrat e tetorit, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me rritjen më të madhe

0

Shifrat më të fundit nga Banka e Shqipërisë në lidhje me aktivitetin kreditues gjatë muajit tetor të këtij viti, tregojnë edhe ecurinë sipas sektorëve të ekonomisë. Kështu, të dhënat e huave të reja për koorporatat jofinanciare private tregojnë se, sektori me rritjen më të madhe të kreditimit gjatë muajit tetor, krahasuar me muajin shtator të këtij viti është ai i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me një rritje prej 357%. Kjo shifër ka kaluar nga 211 milionë lekë që ishte në shtator të këtij viti, në 966 milionë lekë në muajin tetor, duke prekur nivelin më të lartë që prej gushtit të vitit 2020, kur sektori pësoi edhe goditjen madhore si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia. Edhe krahasuar me tetorin e një viti më parë, rritja është e konsiderueshme, prej 211%, nga rreth 300 milionë që ishte. Sektori i dytë me rritjen më të madhe të kreditimit gjatë tetorit është ai i aktiviteteve në fushën e pasurive të paluajtshme, nga 28.6 milionë lekë që ishte në shtator, në 56.65 milionë lekë, në rritje me rreth 97%, sinjalizojnë të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të përpunuara nga “Scan Intelligence Unit”. Në vend të tretë ndërkohë gjejmë tregtinë, me shumicë ose me pakicë, që pas një rënie të ndjeshme gjatë shtatorit, duket se i është rikthyer financimit gjatë tetorit. Për këtë sektor, huatë e reja në tetor ishin rreth 6.3 mld lekë, nga 3.5 miliardë që ishin në shtator, dhe nga 6 miliardë që ishin në tetorin e vitit të kaluar, në rritje me 64% në terma mujorë, dhe prej rreth 6% në terma vjetorë.

Një tjetër sektor që vihet re në rritje ndër ata me peshë të madhe në portofolin e kredisë së sektorit bankar është edhe industria përpunuese, ku huaja e re gjatë tetorit fiksohet në 1.8 milairdë lekë, nga 1.3 miliardë lekë që ishte në shtator, dhe nga 1.6 miliardë lekë që ishte në tetorin e vitit të kaluar, në rritje me rreth 33% në terma mujorë.

Sa i përket sektorëve me rënien më të madhe të kreditimit gjatë tetorit, në vend të parë gjejmë arsimin, ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni. Edhe sektorë si bujqësia regjistrojnë një rënie të ndjeshme si në terma mujorë, ashtu edhe në terma vjetorë.

Diçka tjetër që bie në sy nga përpunimi i të dhënave është rënia e aktivitetit kreditues për sektorë si energjia elektrike, pas një rritje të ndjeshme gjatë shtatorit. Me 31.9% fiksohet rënia e kreditimit për këtë sektor gjatë tetorit, krahasuar me muajin pararendës.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Valuta “fryn” depozitat bankare/ Totali arrin në 1.194 trilionë lekë në tetor, falë monedhës së huaj

Postimi mëparshëm

Rekord i ri azilkërkuesish nga Shqipëria/ Rriten me 52% në shtator, kërkesat në BE arrijnë në 2130 në një muaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.