Banka Botërore ka shkurtuar projeksionet për rritjen ekonomike të vendit tonë gjatë këtij viti dhe atij të ardhshëm, me respektivisht nga 0.7 pikë përqindje. Kështu, për vitin aktual, rritja ekonomike parashikohet në 4.4%, ndërkohë që në muajin janar kjo normë projektohej në 5.1%. Sa i përket vitit të ardhshëm, projeksionet për rritjen ekonomike flasin për nëj normë pranë 3.7%, nga 4.4% që parashikohej në janar. Edhe sa i përket vitit 2023, projeksionet sinjalizojnë një normë rritje ekonomike pranë 3.7% për ekonominë shqiptare. Me projeksionin e ri për rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit aktual, Këndvështrimi i Bankës Botërore është tashmë i ndryshëm me atë të qeverisë shqiptare, që pret një normë rritje prej rreth 5.5%. Gjithsesi, duhet kujtuar se gjatë vitit të kaluar, atë ku pandemia dha impaktin më të madh, pjesa dërrmuese e institucioneve ndërkombëtare dështuan me projeksionet e tyre, pasi flisnin për një normë rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto në terma vjetor, nga 6%-12%, ndërkohë që shifrat zyrtare paraprake sot flasin për një kontraktim të ekonomisë sonë prej “vetëm” 3.3%.
Sa i përket krahasimit me rajonin, rritja ekonomike gjatë këtij viti, sipas Bankës Botërore do të jetë më e ulët se Serbia dhe Mali i Zi, si dhe më e lartë se Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnje Hercegovina. Rritja ekonomike në Kosovë këtë vit projektohet në 4%, në Serbi pranë 5%, Mal të Zi pranë 7.1%, Maqedoni të Veriut në 3,6% dhe Bosnje Hercegovinë në 2.8%. Krahasuar me rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore (ECA) ndërkohë, ekonomia shqiptare pritet të ketë një performancë më të mirë, duke qenë se rritja ekonomike për këtë rajon parashikohet pranë 3.9%. Për vitin e ardhshëm, performanca e Shqipërisë parashikohet lehtë nën mesataren rajonale. Ndërkohë, sa i përket diferencës me rritjen globale, këtë vit dhe atë të ardhshëm, Shqipëria projektohet të performojë nën mesataren globale, për ta “thyer” atë vetëm në vitin 2023. Sa i përket vitit aktual, rritja ekonomike globale parashikohet në 5.6% nga ana e Bankës Botërore. “Shqipëria dhe Mali i Zi do të vazhdojnë të dëmtohen nga kufizimet në udhëtimet ndërkombëtare. Ndërkohë, rritja afat-mesëm në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut do të nxitet nga përshpejtimi i reformave strukturore, rrjedhojë e përgatitjeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian, në rast se nuk do të ketë më shtyrje në çeljen e negaociatave. Ky rajon pritet gjithashtu të përfitojë nga reformat e fundit të Bashkimit Europian për planin ekonomik dhe atë të investimeve, që do të mobilizojë fonde dhe mbështetje ndaj rritjes gjithëpërfshirëse dhe konkurruese, si dhe tranzicionin e gjelbërt dhe atë dixhital”-nënvizon mes reshtave, Banka Botërore.
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.
Comments