EkonomiFinancë

7 koncesionet e planifikuara për 2022-shin/ “Kolaudimi” do t`i rikthehet privatit, do firmoset “Milot-Fier”, edhe siguria rrugore dhe lagjet e Elbasanit me koncesion

0

Projekt-buxheti i vitit të ardhshëm parashikon edhe 7 kontrata të reja koncesionare apo të skemave të partneritetit publik privat (PPP). Të 7-ta këto kontrata të reja koncesionare kapin vlerën e 214 mld lekëve, ose e përkthyer në valutë, 1.75 mld euro. Kjo shumë, vetëm për 7 kontrata është thuajse sa 1/3 e vlerës së mbi 200 kontratave koncesionare aktualisht aktive në vend. Por, cilat shërbime do të jepen me koncesion vitin e ardhshëm? Bie në sy qysh në krye të herës, ai i kontrollit teknik të automjteve, ose i njohur ndryshe si kolaudimi. Ky koncesion i ri, i planifikuar për vitin 2022 mban titullin “Dhënia me koncesion/PPP e infrastrukturës së bazës së të dhënave dhe mbikqyrjes së qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore”. Pra, kemi të bejmë me një shërbim mbikqyrje, dhe jo me një koncesion që do të ofrojë shërbimin në vetvete, por që ka një vlerë kontrate mjaft të lartë, prej 20.2 miliardë lekësh, ose rreth 165 milionë euro. Pra, mesa duket, rreth 1 vit pas përfundimit të kontratës koncesionare me kompaninë SGS për kontrollin teknik të automjeteve, qeveria shqiptare ka vendosur t`ia kalojë pjesërisht privatit këtë shërbim.

Ky koncesion mban vlerën e dytë më të lartë mes koncesioneve të planifikuara për vitin e ardhshëm. Në vend të parë gjejmë një tjetër kontratë koncesionarer, atë për “Dhënien me koncesion të një segmenti rrugor Milot-Fier në Autostradën Adriatiko Joniane”. Kjo kontratë do të ketë një vlerë prej 178.2 mld lekësh, ose rreth 1.45 mld euro. Gara për ndërtimin e këtij segmenti rrugor është hapur rreth dy vite më parë, për të dështuar në fund të vitit 2020. Disa muaj më parë, Kryeministri Rama deklaroi se gara do të rihapet, dhe mesa duket qeveria planifikon ta bëjë diçka të tillë brenda vitit të ardhshëm, për të finalizuar më tej edhe marrëveshjen koncesionare.

Kontrata koncesionare me vlerën e tretë më të lartë, sipas planifikimit për vitin e ardhshëm është ajo për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e “Triportit në Vlorë”, me një vlerë prej rreth 5.6 miliardë lekësh. Në vend të 4-tët ndërkohë ndjek një koncesion tjetër i planifikuar, por i paspecifikuar në detaj, dhe që i referohet “rritjes së sigurisë rrugore”, me një vlerë prej 5 miliardë lekësh, ose rreth 41 milionë euro.

Ndërtimi i Aeroportit të Sarandës gjithashtu është planifikuar si koncesion për vitin e ardhshëm, me një vlerë prej 4.3 mld lekësh. Në sy bie edhe koncesioni për “Përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rekreative të blloqeve të banimit në disa lagje të qytetit të Elbasanit”, me vlerë 882 milionë lekë.

Koncesioni “Për ofrimin e shërbimit të infrastrukturës së çelësave publik PKI” është i fundit në listën e 7 koncesioneve të planifikuara për vitin e ardhshëm, sipas vlerës së kontratës, prej rreth 200 milionë lekësh. Ky shërbim i cili do të jepet me koncesion nga qeveria shqiptare vitin e ardhshëm i referohet sigurisë kibernetike.

Klikoni këtu për relacionin e projekt-buxhetit 2022

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pagat u rritën 5 herë më pak se në rajon, – Raporti i Institutit të Vienës për 2020-ën, rritja reale në vendin tonë, 0.8%. Në rajon, 4%

Postimi mëparshëm

TVSH e brendshme “ngel në klasë” tatimet, – Rënie me 5.7% e arkëtimeve krahasuar me 2020-ën dhe 107 mln euro më pak se plani

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.