SocialeUncategorized

Tkurret popullsia e vendit në T1 2021. Vdekjet “kërcënojnë” lindjet duke i tejkaluar ato me 3 651 persona

0

Shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e parë të vitit 2021 ka pësuar një rënie po ta krahasojmë me të njejtën periudhë të vitit 2020. Kjo situatë patjetër që gjendet në debatin e pandemisë pasi gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 vendi ynë nuk kishte hyrë akoma nën presionin e pandemisë, ndryshe nga tremujori i vitit 2021. Instituti i Statistikave ka publikuar “Treguesit Demografikë” për 3-mujorin e parë të vitit, duke evidentuar një diferencë mes lindjeve dhe vdekjeve në shifrën 3 651. Pra kemi një tejkalim shqetësues të numrit të vdekjeve mbi atë të lindjeve. Numri i lindjeve për tremujorin e pare të 2021 u regjistrua në 6.006, duke shënuar një rënie me 5,4%, ndërsa ai i vdekjeve rezulton 9.657, duke shënuar një rritje prej 55,8% krahasuar me tremujorin e parë të 2020-ës.

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar lindjet sipas qarqeve, ku siç e pasqyron dhe grafiku, vetëm katër qarqe të vendit kanë shënuar rritje të numrit të lindjeve, ndërsa në tetë të tjerat numri i lindjeve është ulur. Në tremujorin e parë 2021, numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.020 lindje, megjithatë krahasuar më të njejtën periudhë të një viti më parë kryeqyteti ka pësuar një rënie me 5.1%. Qarku me numrin më të vogël të lindjeve është ai i Gjirokastrës me 113 lindje, por nga ana tjetër, Gjirokastra shënon rritjen më të madhe në përqindje me 18.9% e pasuar nga Kukësi me 17.1%. Uljen më të madhe në përqindje të lindjeve, gjatë tremujorit të parë 2021, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020,e zë qarku i Vlorës me 16,7%.

Sa i përket numrit të vdekjeve në tremujorin e parë të vitit në të gjitha qarqet vërehet rritje e numrit. Rritjen më të vogël në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë 2021 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, e zë qarku i Korçës, me 11,5 %, ndërsa sipas të dhënave, rritjen më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të parë, e zë qarku i Tiranës me 77,5%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shkalla e “Privimit Material” për Shqipërinë llogaritet në 40%, më e larta në krahasim me vendet e rajonit! Vetëm 35% e shqiptarëve mund të bëjnë pushime vjetore

Postimi mëparshëm

Barometri Ekonomik Scan: 31% e familjeve me të ardhura deri në 30 mijë lekë në muaj

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.