Raporte

Startup-et, Shqipëria përkeqësohet. Zë vendin e 78 në renditje, e parafundit në rajon

0

Startup Blink ka bërë publik së fundmi Indeksin Global të Ekosistemit për vitin 2021. Ky indeks synon të nxjerrë në pah vendet më të mira për fillimin e bizneseve dhe gjithashtu tregon se ku ekzistojnë bashkësitë më të lulëzuara të sipërmarrjeve. Raporti bën me dije që në filllim të tij se viti aktual është një vit i vështirë pasi bota arrin të inovojë ngadalë si pasojë e pandemisë shkatërruese, megjithatë njëkohësisht shumë tendenca të reja të bizneseve po ecin para, si teknologjia apo tregtia elektronike. Ky indeks është ndërtuar duke përdorur qindra mijëra pika të dhënash të përpunuara nga një algoritëm i cili merr parasysh disa dhjetra parametra ku më kryesoret janë: sa startup-e të reja ose ndërmarrje biznesi në procesin e fillimit të tyre janë gjithsej, cili është kualiteti i tyre dhe si është mjedisi për të bërë biznes në vendet përkatëse. Indeksi merr në studim 1000 qytete dhe 100 shtete ku mes tyre gjendet e poziciomuar edhe Shqipëria. Vendi ynë është i renditur në vendin e 78 mes 100 vendeve duke grumbulluar 0.451 pikë nga parametrat e përmendur më lart. Krahasuar me vitin 2020 Shqipëria shihet të ketë rënë me 6 pozicione duke lënë të kuptohet kështu se mjedisi për bizneset e reja është përkeqësuar gjatë vitit 2020. Po ashtu, Tirana, qyteti i vetëm i rangut në Shqipëri, gjithashtu humbi terren, duke ulur 53 vende në 488 në të gjithë botën.

Indeksi Global i Ekosistemit në Shqipëri për vitin 2021

Në këtë rënditje janë të pozicionuar edhe vendet e rajonit. Po ta krahasojmë Shqipërinë me rajonin shohim se Serbia dhe Maqedonia e Veriut qëndrojnë para nesh në renditje, ndërkohë që kemi lënë pas Bosnje Hercegovinën. Serbia renditet në vendin e 53 megjithëse ka rënë 11 vende nga vitit i kaluar. Maqedonia e Veriut është e renditur në vendin e 58 dhe ka pësuar një rritje me dy vende. Në vend të 85 gjendet e renditur Bosnje Hercegovina e cila ka dhe përkeqësimin më të madh duke rënë nga renditja me 12 vende. Në vend të parë në këtë renditje qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar.


Indeksi Global i Ekosistemit për vitin 2021

Përshkrimi i situatës nga raporti për vendin tonë thotë se ekosistemi fillestar i Shqipërisë është ende në fazat e hershme të zhvillimit, megjithatë ka përpjekje të sektorit publik dhe privat për të rritur sipërmarrjen. BE ka mbledhur 7.5 milion € për të financuar zhvillimin, për të ndihmuar Tiranën të bëhet një qendër kryesore e inovacionit në rajon. Për të vazhduar trajektoren e rritjes së vendit, Tirana duhet të prodhojë iniciativa me cilësi më të lartë dhe Shqipëria duhet të përpiqet të zhvillojë ekosisteme shtesë fillestare. Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka zhvilluar disa aktivitete dhe iniciativa inovative, të tilla si Swiss Entrepreneurship Albania, Pro-Tik Center, ICT Lab dhe Tech Hubs, të gjitha këto të formuara me qëllim inkurajimin e aftësive dhe mendësive sipërmarrëse brenda popullatës lokale.

Pasqyrë e Ekosistemit Startup në Shqipëri

Klikoni këtu për të parë raportin e plotë

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pandemia tkurr shtresën e mesme! Credit Suisse: 65 mijë shqiptarë u varfëruan, zbritën “kategori”

Postimi mëparshëm

Rritet sasia e peshkut, por jo peshkimi/ 12.5% rritje gjatë 2020-ës, falë rezervateve

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.