Ekonomi

Si kanë ndryshuar pagat dhe çmimet në 8 vite/ Që prej 2014-ës pagat janë rritur me 29.6%, fruta-perimet me 120.5%

0

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar ecurinë e pagave dhe të çmimeve të konsumit gjatë 8 viteve të fundit, për të kuptuar se si ka peshuar në xhepat e qytetarëve rritja e çmimeve. Viti 2014 është viti i fundit kur të dhënat për pagat janë publike dhe për këtë arsye është marrë si referencë. Shifrat e analizuara dhe përpunuara tregojnë se në vitin 2014 paga mesatare bruto në tremujorin e parë të vitit ishte 45,961 lekë, ndërsa në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, 59.565 lekë. Pra, në harkun e 8 viteve, paga mesatare e një shqiptari është rritur me 29.6%. Por, ndërkohë që pagat janë rritur me këtë hap, si kanë ndryshuar çmimet? Analiza e indeksit të çmimeve të konsumit tregon se, që prej fillimit të vitit 2014, ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me rreth 33%, ndërkohë që vetëm ushqimet me 36%. Nga ana tjetër, çmimet e frutave dhe zarzavateve janë rritur me një hap ndjeshëm më të lartë se rritja e pagave gjatë kësaj periudhe kohore. Më saktësisht, frutat janë rritur me 115.7%, ndërkohë që zarzavatet mbajnë vendin e parë, duke u shtrenjtuar me plot 125.3%. Pra, çmimet e fruta-zarzavate janë mesatarisht, së bashku, rreth 120.5% më të shtrenjta sot, se viti 2014, ndërkohë që pagat janë rritur me vetëm 29.6%. Çmimet janë krahasuar nga muaji shkurt i vitit 2014, deri në muajin shkurt të këtij viti.

Vetëm këto kategori rezultojnë të jenë shtrenjtuar me një hap më të shpejtë se rritja e pagave. Por, veçse bëhet fjalë për produkte thelbësore, sipas analizave të ndryshme, edhe nga vetë Eurostat, shqiptarët kanalizojnë rreth 44% të shpenzimeve të tyre për ushqim.

Produktet e tjera me shtrenjtimin më të madh të çmimeve gjatë këtyre 8 viteve, paçka se me një hap më të ngadaltë se rritja e pagës mesatare bruto, janë furnizimi me ujë dhe duhani, me rreth 20% secili.

Nga krahu i kundërt i renditjes ndërkohë, kemi ato produkte të cilat janë më të lira se 8 vite më parë, dhe në vend të parë qëndrojnë medikamentet, me rreth -10.2%. Veshjet, në thuajse të gjitha kategoritë rezultojnë gjithashtu me rënie të çmimeve krahasuar me vitin 2014, dhe gjithashtu pajisjet shtëpiake dhe elektroshtëpiake, pajisje gatimi, ngrohje dhe kondicionimi, mjetet e qarkullimit, etj. Për këto kategori, fuqia blerëse në harkun e 8 viteve të fundit duket se është rritur ndjeshëm, pasi rënia e çmimeve është shoqëruar me një rritje të pagave me thuajse 30%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Turizmi shënon rritje në janar/ 2 herë më shumë netë qëndrime në strukturat akomoduese se në vitin 2021

Postimi mëparshëm

Inflacioni në 4% sipas “EUROSTAT”/ Në shkurt çmimet u rritën më pak se në Europë, renditemi në vend të tretë nga fundi

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.