Ekonomi

Si janë rritur çmimet e ushqimeve ndër vite – Frutat dhe perimet janë dyfishuar, “injorojnë” edhe inflacionin

0

Duke analizuar Indeksin e Çmimeve të Konsumit, sipas grupeve dhe nëngrupeve kryesore, për periudhën Janar 2007 deri më Tetor 2020, dallohet qartësisht rritja e çmimeve në produktet kryesore të tavolinës së çdo familje shqiptare. Sipas të dhënave të INSTAT, kategoritë që kanë pësuar rritjen më të madhe janë Frutat dhe Perimet. Çmimi i Frutave është rritur 117% që nga viti 2007, pra më shumë se dyfishim çmimesh në harkun e 13 viteve, ndërsa Perimet kanë pësuar një shtrenjtim të tyre në vlerën 82%. Arsyeja e shtrenjtimit të këtyre produkteve, lidhet jo vetëm me zhvlerësimin e lekut ndër vite por edhe me tendencën e kërkesë-ofertë në tregun vendas si dhe “tortën” e eksport-import në tavolinën e çdo familje shqiptare. Përveç produkteve që kanë pësuar rritje të ndjeshme, kemi edhe kategori të cilat kanë qenë më të qëndrueshme në ndryshimet e çmimeve. Për periudhën 2007-2020, produktet me ndryshimin më të vogël në çmim janë: Peshku, Vajrat dhe Ëmbëlsirat.

Nga ana tjetër, të dhënat e përpunuara nga “Scan Intelligence Unit” tregojnë se trajektorja e çmimeve të konsumit në tërësi nuk ka ecur në një linjë me atë të ushqimeve pas vitit 2015. Që prej marsit të 2015-ës, çmimet e ushqimeve në vendin tonë janë rritur me një hap ndjeshëm më të theksuar se norma zyrtare e inflacionit, gjë e cila nuk justfikohet as me ndonjë ridimensionim të tregut të importit të frutave apo zarzavateve. Këto të fundit nga ana tjetër janë rritur me një hap ndjeshëm më të madh edhe se kategoria e ushqimeve në tërësi si dhe norma e inflacionit në vend. Importi i këtyre produkteve në vendin tonë ka qenë thuajse konstant ndër vite, në peshë, siç e tregon qartë edhe grafiku nr 2.

Periudha më e shtrenjtë për ushqimet
Nga përpunimi i të dhënave të Institutit të Statistikave, dallojmë një trend uniform për orientimin e çmimeve. Muaji i cili shënon nivel maksimal të çmimeve, përgjithësisht është muaji Mars, por në raste sporadike, çmimet arrijnë kulmin e tyre edhe në muajin Shkurt. Mungesa e ofertës për këto produkte, si pasojë e stinës së dimrit, si dhe sasia e njëjtë e konsumit, duket se shkakton fryrjen e çmimeve, për këto produkte. Përsa i përket nivelit më të ulët të çmimeve, kemi intervalin Korrik-Nëntor. Si pasojë e prodhimit më të lartë në këtë periudhë të vitit nga prodhuesit vendas të produkteve agro-bujqësore, çmimet për këtë kategori produktesh pësojnë një ulje të ndjeshme gjatë kësaj periudhe kohore.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Pandemia zgjeron fondet e investimit – Këtë vit, 2042 anëtarë më shumë, 541 mln euro të investura, ose 17,292 euro për frymë

Postimi mëparshëm

12% më shumë vdekje këtë vit Instat: Në 9-mujorin e këtij viti, mbi 1800 humbje jete më shumë se vjet, Tirana, rekord

Postimi vijues

Comments

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *