Raporte

Shqipëria dhe rajoni në fokus të kompanive europiane, – Raporti i Institutit të Vienës: Kompanitë europiane duan të lëvizin. Farmaceutika, automotivet dhe IT janë “gati”

0

Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka publikuar së fundmi një raport të zgjeruar për mundësinë e “artë” që ka Shqipëria së bashku me 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të tërhequr kompani të huaja pas pandemisë. Sipas raportit që trajton fenomenin e “nearshoring”, në këndvështrimin e tendencave proteksioniste në tregtinë globale, një tranzicion nga prodhimi në Azi, drejt vendeve më të afërta dhe të industrializuara ka filluar qysh prej një dekade. Por, ky fenomen shpjegojnë ekspertët e Institutit të Vienës do të rritet ndjeshëm në Europë pas pandemisë. Një pjesë e madhe e kompanive europiane aktualisht janë duke kërkuar ndryshime madhore në zinxhiret e tyre të prodhimit dhe furnizimit. Për këtë arsye, Ballkani Perëndimor shikohet si mundësia e artë.

Raporti i cili është një bashkëpunim me partnEritetin e dhomaVe të tregtisë së rajonit, si dhe me përfaqësitë e biznesit nga secili vend i rajonit ( me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së shqipërisë si partner në vendin tonë ) analizon pikërisht këtë fenomen, jo vetëm në teori. Një pjesë e raportit vjen në formën e një ankete mbi 3500 kompani gjermane që operojnë nëpër botë dhe Europë. Anketa tregon se, një pjesë e madhe prej tyre, nga 20% në rastin e atyre që operojnë në Kinë, e deri në 55% në rastin e atyre që operojnë në Mbretërinë e Bashkuar, kërkojnë ndryshime në zinxhirin e furnizimit. Në të njëjtat norma mbetet edhe përqindja e atyre kompanive që janë në kërkim të lokaliteteve të tjera për t`u zhvendosur. Pjesa më e madhe e kompanive gjermane që shfaqin problem në zinxhirin e tyre të furnizimit operojnë në sektorin e tregtisë, industrisë automotive apo IT. Madje, mbi 70% e kompanive që operojnë në sektor si ai kimik, farmaceutik kërkojnë ndryshime në zinxhirin e tyre të furnizimit.

Të pyetur për problemet kryesore sipas tyre në Ballkanin Perëndimor, kompanitë gjermane radhisin qeverisjen e dobët dhe mungesën e institucioneve apo mungesën e stabilitetit. Nga ana tjetër, të pyetur nëse Covid-19 ka ndikuar në planet e tyre për të investuar në rajon, 60% e tyre shprehen se jo.

Por cfarë ofron shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit për këto kompani? 71% e atyre kompanive që kanë vendosur të investojnë në vendin tonë shprehen se arsyeja kryesore ka qenë oportuniteti për një treg të ri. Kjo përqindje është më e larta mes të gjitha vendeve të tjera të rajonit. Me nga 14% vlerësohen faktorë si vendodhja gjeografike dhe pagat e ulta.

Sa i përket aspekteve negative për të ardhur në Shqipëri, kompanitë gjermane të anketuara radhisin në vend të pare, me 6.4 pikë mbështetjen e dobët nga qeveria, si skemat incentivuese. Edhe qeverisja dhe institucionet e dobëta, ku përfshihet sundimi i ligjit apo korrupsioni merr një vlerësim të lartë sa i përket problmatikave. Vendodhja gjeografike ndërkohë merr pikëzimin më të ulët si problametikë, çka e bën Shqipërinë të preferuarën në rajon nga kompanitë e huaja në këtë drejtim.

Sa i përket barrierave që hasin me kompanitë vendase, rreth 36% e tyre shprehen se pamundësia për të ofruar të njëjtat standarde dhe cilësi është problem madhor. Kjo përqindje është më e larta mes vendeve të rajonit.

Një anketim është kryer edhe mbi kompanitë vendase në rajon. Të pyetur për bashkëpunimin me kompani të huaja, në Shqipëri vetëm 40% e tyre shprehen se kanë një partneritet. Kjo është norma e dytë më e ulët në rajon, me Kosovën që është e fundit, me vetëm 25%.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Veriu bëhet më tërheqës për vendasit, rritet numri i vizitorëve me 47.3% gjatë T1 2021

Postimi mëparshëm

Pakësohen azilantët shqiptarë, 11.2% më pak kërkesa gjatë marsit të vitit 2021 se një vit më parë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.