Financë

Shëndetësia, në 2020 ranë shpenzimet dhe punonjësit, u rritën për argëtimin dhe mjedisin, – Vetëm 98% e planit, poshtë planit edhe numri i punonjësve të ISHP dhe Urgjencës

0

Efektet e pandemisë gjatë vitit të kaluar janë ndjerë në thuajse çdo sferë të financave dhe ekonomisë shqiptare, dhe sidomos te financat publike. Këto të fundit e kanë reflektuar edhe me shifra, si në të ardhura ashtu edhe në shpenzime, krizën. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar raportin vjetor të buxhetit faktit 2020, me të gjitha tabelat shoqëruese, ku vihen re një sërë çështjesh. “Scan Intelligence Unit” është ndalur pikërisht te shëndetësia, jo vetëm si sektor jetik, por si busullua e orientimit të shoqërisë shqiptare gjatë periudhës së pandemisë. Pavarësisht situatës ku ndodhej vendi, duket se shpenzimet për shëndetësinë nga buxheti i shtetit nuk janë realizuar sipas planit. Masa e realizimit të shpenzimeve buxhetore për shëndetësinë gjatë 2020-ës, fiksohet pranë 98%. Kështu shpenzimet rezultojnë në rreth 51.5 mld lekë, nga rreth 52.8 mld lekë që ishte plani në fillim-vit. Me të gjithë situatën e krijuar nga pandemia dhe me gjendjen e sistemit shëndetësor në qendër të saj, shpenzimet buxhetore për këtë sektor, jo vetëm që nuk janë rritur, por nuk kanë përmbushur dot as planin, tregojnë shifrat zyrtare nga vetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë sa i përket buxhetit faktit për vitin 2020. Madje, për argëtim, kulturë, çështjte fetare apo mbrojtje mjedisi, të cilat nuk kanë qenë prioritare gjatë vitit të kaluar, shpenzimet e kanë kaluar ndjeshëm planin, më konkretisht, me një masë realizimi 126% dhe 112% respektivisht. Edhe një sektor tjetër që vuajti ndjeshëm pandeminë, arsimi, raporton një masë realizimi të shpenzimeve prej vetëm 97% gjatë vitit 2020.

Raporti vjetor i buxhetit faktit shoqërohet edhe nga një sërë tabelash të tjera, një prej të cilave është edhe ajo e punonjësve buxhetor, ku vihet re diferenca nga plani në realizim, sipas institucionit. Edhe në këtë rast, “Scan Intelligence Unit” është ndalur te disa prej institucioneve thelbësore gjatë pandemisë, siç është Instituti i Shëndetit Publik. Ky institucion ka pasur për pjesën më të madhe të vitit 2020 dhe të pandemisë, “monopolin” e testeve anti-covid, si dhe hetimin epidemiologjik. Në një situatë të tillë, numri i punonjësve të ISHP jo vetëm që nuk është rritur, por rezulton ndjeshëm poshtë planit fillestar të vitit. Në plan flitej për 206 punonjës, ndërsa fakti flet për vetëm 177 punonjës, pra 14% më pak, në kulmin e emergjencës më të madhe shëndetësore që ka njohur vendi. E njëjta situatë vlen edhe për Shërbimin Kombëtar të Urgjenncës, me 77 punonjës, nga 88 që ishte plani, apo për Inspektoriatin Shëndetësor Shtetëror, me vetëm 19 të tillë, nga 22 që ishte plani.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Gratë shqiptare te shtëpitë e burrave, – Vijon tradita, e konfirmojnë shifrat. Femrat nga 20-34 vjeç, ndërrojnë vendbanim 2 herë më shumë se meshkujt

Postimi mëparshëm

Përmirësohet Indeksi i Besimit Konsumator Scan, – Ngjitet në 41.2 pikë në T2, nga 39 pikë në T1, falë situatës aktuale

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.