Sociale

Sa “kushton” një fëmijë? Rreth 22 mijë lekë në muaj konsum shtesë, në Tiranë mbi 30 mijë lekë, në Elbasan “vetëm” 9 mijë

0

Mesatarisht, një familje shqiptare prej dy personash shpenzon në muaj rreth 63 mijë lekë, ndërkohë që një familje prej dy të rriturish me fëmijë në varësi, shpenzon rreth 85 mijë lekë, tregojnë shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave (Instat) për vitin 2019. Shifrat nuk specifikojnë në rast se bëhet fjalë për një apo disa fëmijë, por norma e ulët e fertilitetit në vendin tonë, në 1.37, si dhe shifrat e konsumit sipas numrit të anëtarëve në një familje, sinjalizojnë se një pjesë e madhe kanë një numër të vogël fëmijësh. Pra, diferenca në konsumin mujor mes familjeve me fëmijë dhe atyre pa fëmijë fiksohet në rreth 22 mijë lekë në muaj, në rang kombëtar. Shifra mbetet e përafërt edhe po të marrim diferencën mes familjeve me 2 persona, dhe asaj me tre persona, si dhe atë të familjeve me një person të rritur me fëmijë në varësi dhe asaj të një personi të rritur pa fëmijë në varësi. Diferenca i “orvatet” shifrës së 20 mijë lekëve në muaj, çka duket të jetë pak a shumë edhe kosto mujore e të pasurit fëmijë për një familje mesatare shqiptare.

Si është shtrenjtuar ndër vite “kosto” e të pasurit fëmijë

Kjo diferencë, prej rreth 22 mijë lekësh në muaj, është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Shifrat nga Instituti i Statistikave sinjalizojnë se, diferenca mes familjeve pa fëmijë dhe atyre me fëmijë në shpenzimet mujore, fiksohej në rreth 17 mijë lekë në 2018-ën, dhe në vetëm 14 mijë lekë në vitin 2017.


Tirana, më e shtrenjta, Elbasani i fundit
Por, kjo normë ndryshon ndjeshëm jo vetëm nga viti në vit, por edhe nga qarku në qark. Tirana është vendi më i shtrenjtë për të pasur fëmijë, pasi “kosto” mujore fiksohet në rreth 32 mijë lekë. Në vend të dytë ndjek Gjirokastra, me një “kosto” mujore prej rreth 28 mijë lekësh në muaj. Madje, këto dy qarqe janë ndër ato me koefiçentin më të ulët të lindjeve në Republikë, çka sinjalizon se një pjesë e madhe e këtyre familjeve tipike me dy të rritur dhe fëmijë, në fakt kanë vetëm 1 fëmijë në varësi. Në vend të tretë ndërkohë kemi Beratin me rreth 25 mijë lek. Ndërkohë, në krahun e kundërt të tabelës kemi Dibrën me vetëm 11 mijë lekë “kosto” dhe Elbasanin me rreth 9 mijë lekë “kosto” mujore.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rritje rekord e parasë jashtë sistemit. Gjatë 2020-ës, 18.2% më shumë, e paprecedentë që prej 2008-ës

Postimi mëparshëm

Sa kushton një metër katror? Për ndërtesat për banim, kosto mesatare në 36,800 lekë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.