Barometri Ekonomik

Rritet shkalla e “Privimit Material”, – Nga 40.4% në T1, në 43% gjatë T2 2021

0

Barometri Ekonomik Scan, mes shumë treguesve të tjerë, përfshin gjithashtu dhe treguesit e kufizimit material. Sa mundësi kanë familjet shqiptare për të përballuar artikuj që konsiderohen si të dëshirueshme apo të nevojshme? Të dhënat e barometrit tregojnë se në total, për tremujorin e dytë të vitit 2021, shkalla e privimit material është vlerësuar me 43%. Krahasuar me tremujorin e parë vihet re një rritje me 2.6 pikë përqindje, duke rritur kështu dhe pamundësinë e familjeve shqiptare për të përballuar të paktën 4 nga 9 kategoritë e privimit material.

Treguesi i kufizimit material

Nga anketimi, shohim se vetëm pak më shumë se një në tre familje, që përkthyer në shifra do të thotë 37% e familjeve arrijnë të përballojnë financiarisht pushime vjetore një javore. Kur familjet e akentuara u pyeten nëse mund t’i përballojnë financiarisht një herë në dy ditë një vakt me mish/pule/peshk (ose ekuivalentin për vegjetarianët), 56% shprehen se familja e tyre mund ta përballojë. Në krahasim me tremujorin e parë treguesi për pushimet është ulur me 2 pikë dhe vërehet një ulje prej 4 pikësh e të anketuarve që shprehen se nuk mund të përballojnë financiarisht një vakt me mish/pulë/peshk një herë në dy ditë. Për pyetjen nëse mundet që familja juaj të përballojë një shpenzim të papritur, në shumën mbi 30,000 lekë të reja dhe të paguajë përmes të ardhurave vetjake (jo kredi ose duke marrë para borxh) , 42% e të anketuarve janë në gjendje ta përballojnë.

Treguesi i kufizimit material % (1)

Të gjithë familjarët kanë një telefon celular në familjen e tyre, tregojnë të dhënat. Televizor disponojnë 98% e tyre, ndërsa makinë larëse 95.5%. Për pyetjen lidhur me disponimin e një automjeti, të anketuarit janë përgjigjur se 49% e tyre kanë një automjet për përdorim personal. Në krahasim me tremujorin e dytë vërehet diferencë vetëm në zotërimin e një automjeti në familje me 3% më pak.

Treguesi i kufizimit material % (2)

Rreth 44% e të anketuarve shprehen se nuk mund të përballojnë shpenzimet për mbajtjen e temperaturës së duhur të shtëpisë, nga ku 24% shprehen “në të shumtën e rasteve jo” dhe 20% “asnjëherë”. Nga ana tjetër, 36% arrijnë të përballojnë shpenzimet për mbajtjen e temperaturës së duhur por jo gjithmonë dhe vetëm 20% shprehen se mund ta përballojnë gjithmonë. Krahasuar me tremujorin e parë vihet re një diferencë prej 7% më pak në të anketuarit që shprehen se mund të përballojnë gjithmonë shpenzimet e temperaturës së duhur të shtëpisë.

Treguesi i kufizimit material % (3)

Sa i përket pyetjes rreth vështirësive financiare për të paguar faturat e tyre, si atë të të shërbimeve për energjinë elektrike, ujë, gaz, këstin e kredisë apo qiranë e shtëpisë, rreth 71% e të anketuarve nuk kanë qira për shtëpinë ku banojnë, 75% nuk kanë një kredi hipotekore dhe vetëm 1% shprehen se nuk kanë fatura për shërbimet elektrike, ujë, gaz, etj. Diferenca të vogla vërehen në krahasimin e përqindjes së të anketuarve që kanë qira, 29% në tremujorin e dytë kundrejt 32% në tremujorin e parë.

Treguesi i kufizimit material % (4) – A keni qira për shtëpinë ku banoni, kredi hipotekore apo fatura të shërbimeve elektrike,
ujë, gaz?

Nga të anketuarit që kanë qira për shtëpinë, kredi hipotekore apo fatura të shërbimeve elektrike, ujë dhe gaz, rreth 50% e tyre shprehen se në 12 muajt e fundit kanë pasur të paktën një rast ku nuk kanë mundur të paguajnë në kohë detyrime e qirasë për shkak të pamundësive financiare, 45% këstin e kredisë hipotekore dhe 37% kanë pasur vonesa në pagesat e faturave të shërbimeve elektrike, ujë, gaz.

Treguesi i kufizimit material % (4) – Pagesat e qirasë, kredisë, faturave të shërbimit (përjashtuar ata që nuk kanë qira, kredi
ose fatura të shërbimeve elektrike, ujë, gaz, etj.)

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Rritet numri i grave të vetëpunësuara, – Rritje edhe në numrin e meshkujve të punësuar me pagë. Burrat shënojnë ulje në numrin e të papunëve

Postimi mëparshëm

Gjysma e shqiptarëve nuk kursejnë dot !

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.