Sociale

Rriten me 10.8% fatalitetet në vitin 2021/ Tejkalojnë edhe lindjet. Vlora dhe Berati me rritjen më lartë të vdekjeve

0

Të dhënat demografike të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), tregojnë se viti 2021 ka rezultuar akoma dhe më fatal sa i përket humbjes së jetëve, krahasuar me vitin 2020. Përtej fushatës së vaksinimit apo masave parandaluese, pandemia dhe variantet e reja të saj vazhdojnë të godasin në jetë njerëzish. Shifrat tregojnë se gjatë vitit 2021 numri i vdekjeve regjistrohet në 30,580, duke u rritur me 10.8% krahasuar me vitin 2020. Kjo shifër thellohet akoma më shumë po ta krahasojmë me vitin 2019-të, duke u rritur më gati 40%. Nga ana tjetër, treguesi i numrit të lindjeve shkon në kah të kundërt me atë të vdekjeve duke rënë me 2.8%. krahasuar më nje vit më parë. Aspak pozitive paraqitet panorama e shtesës natyrore. Ndërsa gjatë vitit 2020 numri i lindjeve kishte tejkaluar atë të vdekjeve me 470 lindje më shumë, në vitin 2021 numri i vdekjeve ka tejkaluar lindjet me 3,296 vdekje më shumë.

“Scan Intelligence Unit” ndër të jera ka sjellë dhe një panoramë mbi numrin e vdekjeve sipas qarqeve, si dhe ndryshimin nga viti 2020 në vitin 2021. Të dhënat tregojnë se për vitin 2021, numri më i lartë i fataliteteve është regjistruar në qarqet Tiranë, Fier dhe Elbasan. Qarqet Kukës, Gjirokastër dhe Dibër kanë regjistruar numrin më të ulët të fataliteteve. Qarku i Kukësit jo vetëm që regjistron numrin më të ulët të vdekjeve për vitin 2021, por është i vetmi qark në të cilin numri i vdekjeve ka pësuar rënie, krahasuar me vitin 2020. Qarku i Vlorës ka pësuar rritjen më të madhe të fataliteteve, krahasuar me vitin 2020, me 33.2%, ndjekuar nga qarku i Beratit, me 17.2%.

Gjatë vitit 2021 shohim se janë pesë qarqe që kanë pësuar rritje të numrit të lindjeve, krahasuar me vitin 2020. Kukësi ka pësuar dhe rritjen më të madhe, me 3.9%, ndjekur nga Shkodra, me 1.8% dhe kryeqyteti me 0,9%. Rritje të numrit të lindjeve po ashtu kanë pësuar dhe Berati e Lezha, me 0.3% dhe 0.2% përkatësisht. Nga ana tjetër, nëse do të flisim për qarqet me rënien më të madhe të lindjeve, janë Elbasani, me 11.3% dhe Gjirokastara, me 10.5%. Numrin më të madh të lindjeve, në shifra absolute, gjatë vitit 2021, e ka regjistruar Tirana, me 9,473 lindje. Ndjek Durrësi, me 2,980 dhe Elbasani, me 2,402 lindje gjithsej.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

“Paqja Pozitive”, Shqipëria e 59-ta në botë/ Raporti i “Institutit për Ekonomi dhe Paqe”: Përkeqësohemi me tre pozicione

Postimi mëparshëm

Të gjithë drejt Tiranës dhe Durrësit/ Dy qarqet e vetme me migracion të brendshëm pozitiv, 10 qarqet e tjera vijojnë “tkurrjen”

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.