Financë

Remitancat, rekord në T1! Prekin shifrën e 168.5 mln euro, niveli më i lartë në më shumë se një dekadë

0

Remitancat kanë prekur nivelin më të lartë që prej vitit 2010 në tremujorin e pare të këtij viti. Kështu, të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, të ardhurat nga emigrantët regjistrohen në 168.5 milionë euro gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2010 kjo shifër ka qenë më e lartë, pranë 170 milionë euro. Kështu, remitancat i kthehen niveleve të para krizës financiare globale për herë të parë në më shumë se një dekadë. Pas krizës financiare që nisi në vitin 2009, niveli i remitancave në vendin tonë ka regjistruar një rënie konstante në vite, duke kulmuar në tremujorin e parë të vitit 2014 me rekordin më të ulët, prej rreth 118 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja e remitancave fiksohet në rreth 16 milionë euro, ose me rreth 10.5%. Kjo është rritja më e madhe vjetore që prej vitit 2015, sinjalizojnë të dhënat zyrtare nga ana e Bankës së Shqipërisë. Rritja e ndjeshme e parave që dërgojnë emigrantët në vendin tonë duket të jetë rrjedhojë e pandemisë, jo vetëm si krizë ekonomike por edhe si krizë shëndetësore, duke qenë se të dhënat i referohen tre muajve të para të vitit, periudhë kur vala pandemike preku kulmin në vendin tonë, me shpenzimet për medikamente që u rritën në mënyrë të ndjeshme nga familjet shqiptare. Gjithashtu, duhet theksuar se, rritja e remitancave është rrjedhojë edhe e “formalizimit” të tyre, si pasojë e pandemisë. Masat parandaluese të shpërndarjes së sars-cov-2, dhe kryesisht pengesat në udhëtimet ndërkombëtare kanë sjellë një rënie të ndjeshme të pranisë të kthimit të emigrantëve për pushime. Kjo gjë ka nxitur një kanalizim më të madh të dërgesave drejt kanalave zyrtare.

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Tjetër rekord historik për kreditë me probleme! Zbresin në 7.88%, edhe pas shfuqizimit të masave rregulluese të BSH

Postimi mëparshëm

Huaja e qeverisë, rekord historik në T1! Borxhi i jashtëm bruto arrin në 8.8 mld euro, ai i huamarrjes së qeverisë si asnjëherë më parë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.