Sociale

Rekord i ri azilkërkuesish nga Shqipëria/ Rriten me 52% në shtator, kërkesat në BE arrijnë në 2130 në një muaj

0

Shifrat e muajit gusht “flisnin” për një rritje të ndjeshme të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Bashkimin Europian, si dhe një rikthim në nivelet e para pandemisë. Por, ndërkohë shifrat e përditësuara nga zyra europiane e mbështetjes së azilkërkuese (EASO) për muajin shtator, tregojnë një rritje të mëtejshme të shifrave. Gjatë shtatorit, numri i azilkërkuese me kombësi shqiptare në një prej vendeve të Bashkimit Europian është rritur me 52% krahasuar me muajin paraardhës, duke prekur një total prej 2130 individësh, nga të cilët 1804 kanë qenë kërkesa për herë të parë. Në shtator kjo shifër fiksohej në një total prej 1432, nga të cilët 1198 ishin kërkesa për herë të parë. Shifra e shtatorit të këtij viti është shumë pranë niveleve rekord të larta të tetorit të vitit 2019. Në Europë, vetëm Turqia dhe Gjeorgjia regjistrojnë një shifër më të lartë se ajo e shqiptarëve, por nuk duhet harruar fakti se të dyja këto shtete kanë një popullsi më të lartë se ajo në Shqipëri.

Duket se shqiptarët janë rikthyer sërish në një kërcënim serioz për vendet europiane, dhe zyra europiane e mbështetjes së azilantëve i kushton një vëmendje të gjatë shifrave në rritje të shqiptarëve, duke theksuar se jemi vendi i 7-të në listën e vendeve të origjinës së azilantëve në një prej shteteve anëtare të Bashkimit Europian, duke zënë gjithashtu 3% të totalit të azilkërkuesve në muajin shtator. Krahasuar me janarin e këtij viti, shifra e azilkërkuesve shqiptarë thuajse është pesëfishuar.

Por, nga ana tjetër, shifrat tregojnë se është rritur në mënyrë të ndjeshme edhe numri i shqiptarëve të cilët janë në pritje të një përgjigje për kërkesën e tyre për azil. Ky numër ka arritur pranë 4150 individëve. Norma mesatare e pranimit të kërkesave për shqiptarët këtë vit fiksohet pranë 6%, paçka se Shqipëria klasifikohet si një vend i sigurtë origjine. Gjithsesi, gjatë dy muajve të fundit, kjo normë ka zbritur pranë 3% mesatarisht.

Shifrat e gushtit dhe shtatorit jo vetëm që përkthehen në një kërcënim të ri të faktorit shqiptar për Europën, por mbi të gjitha ngrenë shumë pikëpyetje në lidhje me standardin e jetesës në vendin tonë dhe arsyet që i shtyjnë mijëra shqiptarë t`i drejtohen vendeve europiane dhe kampeve të pritjes për një jetë më të mirë. Kjo valë e re azilkërkusish nga Shqipëria, ndër të tjera vjen në një kohë që pjesa më e madhe e Europës është e paralizuar nga masat anti-covid, çka duket se nuk i dal shqiptarët të largohen.

*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Cilat biznese po marrin më shumë kredi? Shifrat e tetorit, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me rritjen më të madhe

Postimi mëparshëm

Transporti ajror kalon nivelet e para pandemisë/ Në Tetor 2021, regjistrohen rreth 20 mijë pasagjerë më shumë se në 2019-ën

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.