Barometri Ekonomik

Publikohet “Barometri Ekonomik Scan”/ Indeksi i Besimit Konsumator zbret në 40.1 pikë në T3, si pasojë e pritshmërive për të ardhmen

0

“Scan Media” ka publikuar Barometrin Ekonomik Scan dhe Indeksin e Besimit Konsumator për tremujorin e tretë të vitit. Ky podukt është një bashkëpunim mes “Scan Intelligence Unit” dhe “Idra Research and Consulting”. Kështu, Indeksi i Besimit Konsumator Scan (IBKS) rezulton në 40.1 pikë gjatë tremujorit të tretë të vitit, nga 41.2 pikë që ishte në tremujorin paraardhës dhe 39 pikë që ishte në tremujorin e parë. Metodologjia e përdorur për matjen e indeksit është ajo e një pikëzimi nga 0-100 ku niveli i 50 pikëve ndan pesimizmin nga optimizmi. Pra, një lexim i shifrës nën 50 pikë tregon se, situata mbetet në territor pesimist, siç është edhe rasti i tremujorin të tretë të vitit. Indeksi i përgjithshëm është i ndarë në 6 nën indikatorë, ku tre të parët i referohen situatës aktuale dhe tre të tjerët i referohen pritshmërive për të ardhmen. Pikërisht pritshmëritë për të ardhmen duket se kanë qenë shtysa kryesore për rënien e indeksit të përgjithshëm në tremujorin e tretë të vitit. Indeksi i pritshmërive për të ardhmen fiksohet në 48.6 pikë këtë tremujor, duke prekur kështu shifrën më të ulët mes të tre tremujorëve. “Goditja” më e madhe vjen nga situata ekonomike e vendit, ku indikatori fiksohet në 47.8 pikë, nga 51.3 pikë që ishte në tremujorin paraardhës. Edhe nën-indikatori që i referohet pritshmërive për situatën e papunësisë në vend ka regjistruar një rënie domethënëse krahasuar me tremujorin paraardhës, duke u fiksuar në 45.4 pikë, nga 46.5 pikë që ishte në tremujorin e dytë të vitit.

Sa i përket situatës aktuale, 2 ndër tre nën-indikatorët kanë pësuar një tkurrje krahasuar me tremujorin paraardhës, por mbeten mbi nivelet e tremujorit të parë të vitit. Vetëm nën-indikatori i blerjeve të mëdha rezulton i paluhatur krahasuar me dy periudhat pararendëse.

Duke analizuar shpërndarjen e përgjigjeve sipas secilës pyetje të marrë në shqyrtim vihet re që rreth 54% e të anketuarve shprehen se situata e përgjithshme aktuale e vendit krahasuar me 12 muaj më parë është më keq, nga ku 9% prej të anketuarve mendojnë që është shumë më keq se një vit më parë dhe 45% shprehen se është më keq se një vit më parë. Lidhur me situatën financiare të familjes aktualisht, e krahasuar kjo me 12 muaj më parë, rreth 7% e të anketuarve e vlerësojnë si shumë më keq e ndërsa 35% e të anketuarve shprehen se është më keq (total më keq 42%). Kur pyeten rreth pritshmërive financiare të situatës së tyre familjare pas 12 muajsh, 35% e të anketuarve shprehen se do të jetë më mirë ose shumë më mirë se aktualisht. Thuajse e njëjta përqindje (30%) shprehen se situata ekonomike e vendit pas 1 viti do të jetë më mirë ose shumë më mirë se tani. Lidhur me nivelin e papunësisë në të ardhmen thuajse një në katër të anketuar (25%) mendojnë se niveli i papunësisë pas 12 muajsh do të jetë më mirë ose shumë më mirë, 32% shprehen se do të jetë në të njëjtat nivele si aktualisht dhe 36% mendojnë se niveli i papunësisë do të jetë më keq ose shumë më keq.

“Barometri Ekonomik Scan” vjen edhe me një sërë çështjesh dhe tematikash të tjera, si: blerjet, kënaqësia e jetesës, dëshira për të emigruar, kursimet, pushimet, mbështetja ndaj vaksinimit të detyruar, etj.

 

Raportin e plotë, në shqip, si dhe versionin në anglisht mund ta shkarkoni të plotë në faqen web të Scan si dhe nënfaqen e Scan Intelligence Unit.

Klikoni këtu për raportin e plotë

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Korrupsioni, Shqipëria e 125-ta në botë/ E parafundit në rajon dhe ndër vendet e fundit në Europë

Postimi mëparshëm

Çmimet e konsumit, problemi kryesor i shqiptarëve. Barometri Ekonomik Scan: Ndjekin taksat dhe tatimet, situata politike më pak shqetësuesja

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.