Barometri Ekonomik

Përmirësohet Indeksi i Besimit Konsumator Scan, – Ngjitet në 41.2 pikë në T2, nga 39 pikë në T1, falë situatës aktuale

0

Scan Media publikon këtë të enjte “Barometrin Ekonomik dhe Indeksin e Besimit Konsumator Scan”, për tremujorin e dytë të vitit. Ky publikim periodik vjen në bashkëpunim me “Idra Research and Consulting”. Të dhënat vijnë në formë ankete mbi 1 mijë individë në rang republike dhe një kampionim gjithëpërfshirës për periudhën prill-qershor 2021. Indeksi i Besimit Konsumator Scan për tremujorin e dytë të vitit rezulton në 41.2 pikë, nga 39 pikë që ishte në tremujorin e parë. Pavarësisht rritjes së lehtë krahasuar me tremujorin paraardhës, niveli pranë 41 pikëve tregon një situatë pesimiste sa i përket aktualitetit dhe pritshmërive për të ardhmen e konsumatorit, duke qenë se niveli i 50 pikëve ndan rritjen nga kontraktimi. Indeksi i Besimit Konsumator Scan bazohet mbi 6 nën-indikatorë, ku tre prej të cilëve i referohen situatës aktuale, dhe tre të tjerë pritshmërive për të ardhmen. Indikatori që merr më shumë pikë në tremujorin e dytë është ai i pritshmërive për situatën financiare, i cili fiksohet pranë 53.5 pikëve, nga 52.7 pikë që ishte në tremujorin e parë të vitit. Në vend të dytë ndërkohë është një tjetër indikator, ai pritshmërive për situatën ekonomike, pranë 51.2 pikëve, nga 49.8 pikë që ishte në tremujorin e parë të vitit, duke hyrë kështu në territor pozitiv. Këta dy indikatorë janë të vetmit në territor pozitiv. Ai i blerjeve të mëdha aktuale ndërkohë është indikatori që merr më pak pikë, me vetëm 15.1, po aq sa në tremujorin e parë të vitit. Nga ana tjetër, indikatori i situatës ekonomike aktuale është ai që regjistron rritjen më të madhe në terma tremujorësh, duke u ngjitur pranë 38.3 pikë, nga vetëm 30.6 pikë që ishte në tremujorin paraardhës. Edhe indikatori i situatës financiare aktuale ka pësuar një rritje të ndjeshme, pranë 42.7 pikëve, nga 38.8 pikë që ishte në tremujrouin e parë të vitit. Sakaq, indikatori që i referohet pritjeve për papunësinë, është i vetmi në rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Tre nën-indikatorët e situatës aktuale përmblidhen në një nën indikator tjetër, i cili rezulton në 32 pikë, nga 28.2 që ishte në tremujorin e parë. Tre indikatorët e tjerë, ata të pritshmërive grupohen në një nën-indikator tjetër, i cili rezulton në 50.4 pikë, nga 49.9 që ishte më parë. Pra, për familjet shqiptare, situata aktuale është më pesimiste se pritshmëritë, paçka se përmirësimi për aktualitetin është ndjeshëm më i lartë se pritshmëritë, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Shifrat duket se reflektojnë më së miri situatën e familjeve shqiptare dhe ndryshimin e perceptimit të tyre mbi të tashmen dhe të ardhmen në harkun e dy tremujorëve. Tremujori i parë i vitit i vuri familjet shqiptare përballë shumë sfidash dhe pasigurish, si vala më e rëndë e pandemisë me shumë infektime dhe humbje jetësh, por edhe zgjedhjet e përgjithshme. Me tejkalimin e këtyre momenteve, duke se edhe perceptimi i përgjithshëm është përmirësuar disi, paçka se sfida të mëdha mbeten ende, që nga dëshira për emigrim, mundësia për të bërë pushime, etj, të cilat do t`i analizojmë në vijim në studion e lajmeve dhe emisionet e ndryshme në SCAN. Raportin e plotë mund ta shfletoni në faqen Ëeb të Scan dhe të Scan Intelligence Unit.

KLIKONI KETU PER RAPORTIN E PLOTE

*Material i përgatitur nga SCAN INTELLIGENCE UNIT. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.

Shëndetësia, në 2020 ranë shpenzimet dhe punonjësit, u rritën për argëtimin dhe mjedisin, – Vetëm 98% e planit, poshtë planit edhe numri i punonjësve të ISHP dhe Urgjencës

Postimi mëparshëm

Gjysma e shqiptarëve nuk bëjnë dot pushime! – Barometri ekonomik Scan: Për ata që planifikojnë, 47% me buxhet deri në 50 mijë lekë

Postimi vijues

Comments

Comments are closed.